Fatmir Muhaj nga fshati Tërbaç, Qarku i Vlorës, tregon për “Tak Fak”  se që prej vitit 2007 ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh në kërkim të drejtësisë për pronën e trashëguar nga familja.

Ai pretendon se është viktimë e një komploti të organizuar për t’i marrë tokën, duke bërë që të burgoset padrejtësisht.

“Tokat që ndodhen këtu janë tokat e gjyshit tim, të përfituara edhe me ligjin 7501 nga prindërit e mi.

Këtu kam lindur dhe jetuar,” rrëfen Fatmiri në një intervistë për gazetaren e “Tak Fak”, Rovena Cerka, duke treguar vendin ku dikur ndodheshin banesat e familjes së tij.

Në vitin 2008, komuna e Horë -Vranishtit bëri plan skicën e tokës dhe ia regjistroi pronën. Por vetëm pak vite më vonë, gjithçka mori një kthesë të papritur.

Në periudhën 2013–2014, ai mori vesh se ishte bërë ndaj tij një kallëzim penal për “pushtim toke” dhe “prishje ure”.

Megjithëse prokuroria e pushoi çështjen, presioni ndaj tij nuk u ndal.

Sipas Muhajt, struktura të Ministrisë së Brendshme dhe Policia e Shtetit u përfshinë në çështje, dhe ai u mbajt disa herë nën arrest për 24 orë.

“I bënin presion edhe nënës sime. Sa herë që shkoja në gjyq në Vlorë, gjyqtarja merrte raport dhe shtyhej seanca,” tregon ai.

Në kulmin e presionit, ai pohon se u kërcënua me jetë.

“Kryeplaku më tha se do të më vrisnin, kështu që u dorëzova. Vinin punonjës civilë që më thoshin se do të më vrisnin. Arrita në pikën që tentova vetëvrasjen, preva damarët. Kam ardhur në vete vetëm në spitalin e burgut në Tiranë.”, thotë Fatmiri për “Tak Fak”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb