Papa Françesku ka kryer së fundmi një vizitë në Kanada, për t’ju kërkuar falje familjeve indigjene që Kisha nuk e ka realizuar si duhet rolin e saj, duke lejuar asimilimin e fëmijëve indigjenë në shkollat kanadeze. “Më vjen shumë keq”, tha Papa në një ish-shkollë rezidenciale në Maskwacis, pranë Edmontonit.

Ai tha se falja e tij është hapi i parë dhe se duhet të ndodhë një “hetim serioz” për abuzimet në mënyrë që të nxitet shërimi.
Shkollat e financuara nga qeveria ishin pjesë e një politike që synonte të shkatërronte kulturat dhe gjuhët indigjene.
Ndjesa e papës u prit me duartrokitje nga të pranishmit, disa prej të cilëve udhëtuan për orë dhe kilometra të tëra për të dëgjuar fjalimin e Papës.

Papa Françesku shprehu “dhimbje, indinjatë dhe turp” për veprimet e shumë anëtarëve të Kishës Katolike të Romës, të cilët drejtonin shumicën e shkollave rezidenciale në Kanada. Papa 85-vjeçar e quajti sistemin e shkollave një “gabim katastrofik” dhe kërkoi falje “për të keqen e kryer nga kaq shumë të krishterë” kundër popujve indigjenë.

Bruce Allan, një i mbijetuar i një prej shkollave rezidenciale që ishte i pranishëm, tha se ishte emocionuese të dëgjoje ndjesën e Papës, por shumë njerëz janë ende në kërkim të veprimit nga Papa. “Unë mendoj se ndoshta shumë të mbijetuar janë ende mjaft të zemëruar,” tha zoti Allan për BBC. Përpos faljes publike, çka ra në sy ishte edhe veshja e Papës, i cili mbante një palë mokasina të vogla të dhuruara atij nga një delegacion indigjen në Vatikan në fillim të vitit.

Mokasinet, të cilat Papës iu kërkua t’i kthente, shërbejnë si simbol për fëmijët që ndiqnin shkollat rezidenciale dhe nuk u kthyen më kurrë në shtëpi. Ai tha se mokasinet gjithashtu “na flasin për një rrugë që duhet ndjekur”, atë të drejtësisë, shërimit dhe pajtimit.
Vërejtjet e tij u dëgjuan nga krerët indigjenë që u mblodhën në Muskëa Park së bashku me të mbijetuarit e shkollave rezidenciale të Kombeve të Para, Métis dhe Inuit.

Të pranishëm ishin gjithashtu kryeministri Justin Trudeau dhe guvernatori i përgjithshëm Mary Simon, personi i parë indigjen që mbajti atë pozicion. Përpara fjalëve të tij, Papa u takua privatisht me udhëheqësit në kishën lokale dhe drejtoi një lutje të heshtur në Varrezat e Kombit Ermineskin Cree, të studentëve të shkollave rezidenciale.

Pas kërkimit të faljes, Papa veshi një shami tradicionale që i ishte dhuruar nga një udhëheqës indigjen, ndërsa në sfond këndohej një këngë nderi në Cree. Vendi i mëparshëm i Shkollës Rezidenciale Ermineskin, një nga më të mëdhenjtë në Kanada, është ndalesa e parë e Papës në udhëtimin e tij, që Papa e ka quajtur ” pelegrinazhi i pendimit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: