Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi sot rajonin Ica në Perunë jugore , duke shkaktuar shqetësim të madh tek popullsia, sipas autoriteteve të cilat theksojnë se deri më tani nuk janë raportuar dëme të konsiderueshme materiale.

Tërmeti ndodhi në orën 12:57. Epiqendra ndodhet 41 km në jug të qytetit të Ica-s, kryeqytet i rajonit me të njëjtin emër me një popullsi prej 453,000 banorësh, ndërsa thellësia fokale vlerësohet në 81 km, siç njofton Instituti Gjeofizik Peruan (IGP).

“Tërmeti ishte shumë i fortë. Dola në rrugë me gruan time”, tha një banor për stacionin radiofonik RPP.

Mediat peruane raportuan se shumë banorë ikën nga shtëpitë dhe dyqanet e tyre në Ica në panik. Tërmeti u ndje deri në kryeqytetin Lima, rreth 400 kilometra nga epiqendra.

Peruja ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, ku kryqëzohen pllakat tektonike dhe aktiviteti sizmik dhe vullkanik është intensiv.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb