Kryeministri Edi Rama ishte këtë mesditë në shtëpinë e re të familjes Rexhepi, në Durrës, të cilët u prekën rëndë nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit. Marjana Rexhepi humbi nënën e saj 74-vjeçare Nafije Rexhepi, si dhe shtëpinë, por fatmirësisht vetë u nxor e gjallë nga gërmadhat pas 13 orësh.

“Mendove për një jetime, faleminderit shumë. Respekte shumë për ju. Jeta kështu e ka. Tërmeti ishte një gjë e papritshme. Kam qëndruar 13 orë nën gërmadha, Luani është heroi dhe Rama që solli ndihmësat shumë shpejt”, tha Marjana.

Për këtë, ajo tashmë është futur në shtëpi të re, ndërsa ambienti është parë nga afër dhe nga vetë kryeministri Rama. “Çfarë mund të bëjmë, do ta bëjmë me shumë përkushtim, deri në fund.

Duhet të jemi maksimalisht transparente dhe të garantojmë procesin e rindërtimit me cilësi, sepse sfida është që të sjellim situatën më mirë seç ishte më parë. Ndërkohë po bëjmë dhe projektet e shkollave dhe spitaleve dhe besoj që do t’i kemi në funksion në fillim shtatorit kur fillon shkolla, ky është qëllimi im”, tha kreu i qeverisë, në një bisedë me familjarët.

Ndërkohë, Rama publikon dhe një video në “Facebook” nga vizita në shtëpinë e re të familjes Rexhepi, ku ndër të tjera shkruan se do iu jenë pranë banorëve të prekur nga tërmeti.

“#TiNukDoJeshKurrëVetëm????? Durrës – Në shtëpinë e re të Marjana Rexhepit?? Mes dhimbjes për humbjen e pazëvendësueshme të nënës, nga pabesia e 26 nëntorit, ne u jemi dhe do t’u jemi pranë, megjithë zemër e me të gjitha mundësitë tona”, shkruan Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb