Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në qytetin e Kurbinit, ku vizitoi familjen e Viktor Gjonit, e cila prej 10 muajsh jeton në çadër, pasi banesa i është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Nga biseda me familjarët, Basha mëson se fëmijët e Viktor Gjonit kanë marrë të ftohur nga jetesa për një kohë të gjatë në çadër. Ndaj dhe për këtë arsye, kryefamiljari është detyruar të marrë para borxh për të paguar ilaçet për kurimin e fëmijëve të tij.

Prej 7 vitesh, Viktori si kryefamiljar nuk ka mundur të gjejë një punë për të mbajtur familjen. Përveç gjendjes shëndetësore të fëmijëve, atij i është dashur të paguajë shuma të mëdha parash për çështjen e certifikatës së pronësisë.

Basha thekson se si ndihmë nga shteti, ai ka marrë një shumë qesharake prej 39 mijë lekësh të vjetra, që nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet e përditshme.

Në Planin e saj me 5 Pika për Rimëkëmbjen e Ekonomisë, Partia Demokratike ka propozuar dyfishimin e ndihmës ekonomike për personat që përfitojnë nga kjo ndihmë, për 6 muajt e ardhshëm. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të zbatojë këtë plan masash në ndihmë të qytetarëve, sidomos të atyre që janë prekur nga tërmeti i nëntorit të kaluar. Ky gjashtë muajsh do të jetë një periudhë e vështirë për qytetarët shqiptarë, në veçanti për ata që këtë dimër, do ta kalojnë sërish në çadër.

Viktor Gjoni: Sot ka ardhur nga shkolla për problemet shëndetësore që ka.
Lulzim Basha: Çfarë ke patur, ke patur vështirësi me frymëmarrjen?
Viktor Gjoni: Po!
Lulzim Basha: Ku e ke vizituar?

Viktor Gjoni: E ka vizituar ne Lezhë, 2 herë i kam marrë kura. I kam marrë si i thonë, kam hyrë borxh e i kam marrë kurën, prapë e njëjta gjë. Ky lloj shteti fjalë ka shumë. Unë për vete i kam pa dhe i kam vuajtur premtimet e këtij. Sepse unë para 2013-ës këtu në katund, kam punuar në të zezë, kam punuar. Po i kam punuar, i kam marrë 100 mijë lekë në muaj, i kam marrë 10 ditë pune. Nga 2013 që ka hipur ky në pushtet si pasojë e asaj taksës që thuhet taksa progressive, nuk ka pasur munësi kush me më dhënë një ditë punë më. Ku me ngrënë bukë, duke u munduar për të mbijetuar. Tani vetëm në dorë të madhit Zot. Se për dorë të tij, jo unë por kanë mbaruar të paktën 70% e robvë.

Janë me biznese dhe janë duke u qarë. Shkoj me marrë një thes miell më thonë nuk kam mundësi për ta dhënë se s’ke ku i merr që të m’i japësh ëdhe unë s’kam lekë që të marrë furnizimin. Vetëm 39 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Ato nuk e di, a t’ia marr ilaçe kësaj a të ha bukë, a të blej vaj. Ka 15 muaj që jam tu u marr vetëm me letrat me çertifikim e kësaj prone, me çertifikimin. Më kanë marrë 900 mijë lekë, kam hyrë në borxh deri këtu. Ky, edhe atë 39 mijë lekësh që e marr te ndihma ekonomike mundohet të ma marr mos me një mënyrë me një tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb