NGA ALKETA SPAHIU*
TIRANE-Antikiteti shtronte në mënyrë të pareshtur pyetje mbi origjinat e botës, mbi burimet e vetë antikitetit. Këto çështje projektoheshin mbi të shkuarën, me qëllim shpjegimin e së tashmes, që vihet prapë në pyetje në saje të ngjarjeve natyrore, të çuditshme e të pashpjegueshme. Gjithnjë mitologjia ka pasuar si rrjedhim i këtyre përsiatjeve, çka ka ushqyer mandej si historinë dhe letërsinë, këto dy trungje të pandara. Mbi to mbështeten njohjet tona e shuma e pikëvështrimeve mbi të shkuarën.

Por bota jonë sot vështrimin e ka nga e ardhmja. Nën kumtin e paraardhësve, ne hamendësojmë mbi të ardhmen si diçka të errët e po aq të frikshme. Atëherë bota sot frymon sërish duke përdorur dispozitivin antik, për ta zbutur atë drojë e pasiguri. I hapet kështu vendi një demiurgu, por drejt një bote të shqyrtuar nga prizma transhumaniste, domethënë: e ardhmja e afërt, ndoshta, me kolonizimin e planetëve rreth nesh, por shqyrtime që si preokupim kryesor kanë njerëzoren. Njëlloj si zotat antikë, që plus-konin mbi dashurinë, betejat, shkatërrimet e transformimet, pushtetin, transmetimin e me radhë.

Me këtë frymëzim na duket se Mira Meksi observon të shkuarën në këtë roman të ri. Në saje të një pune impenjuese, kërkimi i saj duket se nis me zhvarrimin e të shkuarës, për të kërkuar në të përgjigje mbi thelbin e jetës, ose më saktë, mbi mëndeshat e saj: dashuria dhe vdekja. Të dyja janë pështjelluesit e heroinës së romanit, që iu vendosën lexuesit përballë përtej gjinisë e moshës, sepse heroina është e mbathur me përmasë universale e historike.

Historia e saj është e njohur, por jo shumë e diskutuar. Teuta, mbretëresha e Ilirisë, grua e mbretit Agron, jetoi në fund të shekullit III p.e.s. Historianët përmendin disi periudhën e mbretërimit të saj, veç dy-tre vjet nga jeta e kësaj gruaje që mbolli terrorin në ujërat që lagnin Ilirinë. E lindur për t’i përkitur legjendës, ajo arrin të bëhet mishërim i saj. Ekzistenca e kësaj mbretëreshe lidhet me shërbimin në favor të Ilirisë. Luftra ku mbretëronin zhvatja, më saktë piratëria dhe ajo çka do ta quanim, në terma modernë, “mosbindja civile” ose shpirti kryengritës.

Sepse Teuta mbretëron në këtë hapësirë luftarake si oponencë e fortë ndaj Romës dikur. Historianët zyrtarë kursehen doemos ndaj figurës së saj; por janë historianët e artit dramatik që na orientojnë më shumë. Ata e radhisin Teutën përkrah perandoreve të tjera madhore bizantine: Irenës, Theodorës dhe Eudoksisë…

Duke qëmtuar origjinat e “Natës së dymbëdhjetë” të Shekspirit (që ngjarjen e vendos pikërisht në Iliri), të shumtë janë kër-kuesit që kthehen te figura e Teutës, si mbretëresha “që përballi ashpër pushtetin e Romës” (Ludovick Lloyd), apo si “gruaja që diti të mbretërojë pa asistencën e burrave” (Thomas Haywood në librin Gynaikeion) etj. Kjo pjesë e Shekspirit, ku vërehet mjaft përdorimi i termave të tregtisë e piratërisë, i ka atribuar Teutës tipare të personazhit të tij, Olivia, e cila ka mbetur shtyllë e shtëpisë, në mungesë të të atit e vëllait.
Mbretërimi i Teutës merr fund, pra, pas nënshkrimit të traktatit me Romën, pas të cilit u asgjësuan aktet e piratërisë. Shpjegim shtesë mbeten përcaktimet e Ciceronit. Ai i deklaronte piratët e antikitetit si “armiq të përbashkët të komunitetit” (communis hostis omnium) sepse ata i dilnin duarsh ushtrimit të së drejtës së përbashkët. Por ajo që sulmohet është dukshëm shpirti i aventurës, shqendërzimi i pushtetit të Romës, prirja për ndjesi të forta, ku Tjetri mund të bëhet dhe viktimë.

Teuta bart, pra, një emër që e identifikon, e veçon unike; pirate-mbretëreshë, e cila jeton dhe epon në piratërinë e zemrës, e ndjenjave. Kështu, romani i Mira Meksit arrin rangun e një kronogjeneze të piratërisë, të legjendës që ka për aureolë ky akt. Pikërisht piratëria na duket aksi i narracionit në roman. Vetë rrëfimi përparon e rrugës rinovohet, sipas endjeve që raporton. Piratëria bëhet kështu shkas, në ecuri e sipër, për ta “piratuar” të shkuarën që ndjell parazitë te e tashmja, në favor të rrëfimit dramatik. Ishte pak a shumë strategjia e “përthyerjes” së faktit historik nga të gjithë dramaturgët elizabetanë, ku Shekspiri bënte pjesë.

Na duket me interes të evokojmë një analizë semantike të termit “pirat”. Rrënja e kësaj fjale vjen si nga greqishtja (peiratęs), që vetë rrjedh nga folja (peiraô) që shënjon aktin e “orvatjes”, “provon shansin”, “lë-shimin në një aventurë”. Por dhe nga latinishtja, pirata: “kërkuesi i fatit”, “iniciativë e orvatje” etj.

Me këtë optikë, bëhet e qartë se kjo figurë, mbretëreshë e regjencës, i jep vetes atributet e fisnikes, lëviz jashtë sferës së manipuluar nga burrat. Rangu i saj i hyjnisë bëhet i qartë nga aplikimi e përdorimi i balsameve detare me përbërje “algash magjike” të gjarprit mitik. Ai që i fryn frymën, por që e lidh pas vetes përgjithnjë, edhe nën trysninë e dhimbjes së femrës e të mallkimit hyjnor, derisa ai identifikohet krejt me të, bëhet dubli i saj. Sikundër lexojmë: “Mbretëresha ishte shuar për Ilirinë”.

Mallkimi që merr Teuta e ndryn atë. Nën ndryrjen e gjarprit (“e vluara e gjarprit”), asaj i mbetet t’i bindet mbrojtësit të vet, gjarprit, i cili e mban në jetë që ajo të ushqejë sërish legjendën, legjendën e vet. Njësh me gjarprin, kjo mbretëreshë është vektori i narracionit, pretekst për legjendën e gjarprit. Citojmë: “Gjarpri shndërrohej në vajzë e vajza në gjarpër […] sa shkriheshin e bëheshin një, dhe s’kishte më dallim mes tyre”. Sikur historia e Teutës të ishte ajo e gjarprit, por e stisur nga ai vetë.

Klima emocionale e romanit hapet njëlloj si në rastet e dashurive pasionante e të kobshme. Histori që jo vetëm tjerrin fatin e viktimave në labirintin e dashurisë, por sidomos luftën e tyre shpallur ndaj botës, thua se kjo botë mbetet në thelb e huaj për pasionet madhore e që bota nuk iu bëhet dot garant. Prej këtej fusha semantike e dashurisë dhe erosit shkon paralel me atë të luftës e dhunës. Vetë akti i dashurisë bëhet betejë e mbre-tëreshës për ta fituar, por tashmë si femër, jo më si mbretëreshë. Gruaja brenda saj hidhet në luftën për-kundër Demetër Fa-rosit, nën petkun e erosit, si për t’i shpëtuar burgimit nga gjarpri. “Kishte nisur me puthje dhe kapërthime të egra që u kishin lënë vraja pasioni në trup”.
Me stampën e boshit në mish, Teuta e shpraz substancën e vet. Këtë orvatet të mbushë gjarpri, herë me fjalë të hallakatura nëpër kujtesë, herë me materien fantomatike, për ta vulosur “martesën” e tyre: “Gjarpri i detit vazhdoi t’ia pastronte plagën me gjuhën e tij të mprehtë dhe t’i sillte alga magjike deti që ia vendoste mbi të”. Kështu Teuta endet mes këtij boshi që mishëron e nuk e mbush dot, dhe fallusit, si premtim shpresë i dashurisë.

Me gjithë prirjen drejt pathosit (sepse personazhi Teutë duket se ka nevojë t’i japin dashuri, siç e vërtetojnë shpërthimet e saj: “Pjesën më të madhe të kohës do dashuroj Demetër Farosin”) aspekti sentimental fshihet para shfaqjes së simbolit fallik, që penetron mjaft në roman; këtë e vërejmë qysh me paraqitjen e mitit të Ilirisë që bazohet te gjarpri. Duket se ai shfaqet si garant i Teutës, mishërim i frymës së vendit ku ajo mbretëron, totem që si zgjatim ka shpatën, atribut tjetër i tij: “Kur të më hajë dora për shpatë” apo dhe “me sikën në dorë”.

Kujtimi i gjarprit e bën edhe më të dendur e më joshës, më të errët e goditës misterin e legjendës së Teutës. Gjarpri rrëfen, ai zbërthen historinë, ngjarjen e Teutës e të origjinave kaotike të mitit të saj që përzihet me atë të Ilirisë, ku secili endet si pirat për pjesën e vet. Kjo histori duket se vihet në rakordim me ndërtimin e imazhit të heroinës, duke ndjekur veç ligjet e rrëfimit oral. Rrëfim ky që, i detyruar nga harresa, i jep risi mandej ligjërimit, sepse rreziku i harresës sjell përdorimin e kujtesës duke i dhënë frymë tjetër jete.
Gjuha ligjërimore e reptilit është një ligjërim ku struktura kockore s’duket. Si përkatës i gjuhës së gjarprit, ky ligjërim identifikohet mandej me gjarprin, duke ia marrë atij hua aspektin origjinor të gjuhës, atë të gjuhës epike, që zapton gjithë hapësirën e rrëfimit. Gjuhë pra e origjinës, e asaj që oraliteti e bën të variueshme, lëkurëndërruese e të shumëfishtë në delirin e gjarprit-aed qëpjell miti: “Leskrat e gjarprit të larzuar në trupin e faltares u kreshpëruan rrëmbimthi”.

Mira Meksi e përdor këtë mit të gjarprit si matricë të narracionit në roman. Është një mit që bart në vete një tjetër mit, e që i jep fuqi, risi, nën vështrimin e lexuesit të mbërthyer në vëmendje. Rrëfimi ndjek parametrat e funksionimit të mitit e të legjendës; në këtë përzhitje del një metaforë e shkrimit, për sa kohë ushtrohet kujtesë, ndërsa është kujtesë. Kështu lexojmë se: “Ç’thotë tjetër gojëdhëna?” – fillon prapë rrëfimi, si për ta drejtuar diku e mandej për ta pasuar, thua nën “hyqmin” e këtij rrëfimi – “në atë kllapi të stërzgjatur kish patur mjaftueshëm kohë të lebetitej e tmerruar prej tij gjer në asht”.

Vula e kulturës së rrëfimit gojor, e “gojëshkrimit”, është e dukshme në mënyrën e rrëfimit të këtij romani. Jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në frushullimën e re që kjo retorikë i sjell rrëfimit shqip. Na duket njëfarë zbutjeje e tij që arrin Mira Meksi, pas betejash sinjifikante letrare që është përkthimi prej saj i autorëve botërorë. E vërejmë këtë edhe në dimensionet tragjike të personazhit Teutë, e cila vetë drejtohet nga një forcë e brendshme, karakteristikë kjo e heronjve mitologjikë, me peshën e fatit mbi krye. Këtu fati mbetet malli që “piraton” gjarpri i Kujtesës së gjatë.
Fati i Teutës është efektivisht i lidhur me piraterinë. Me piratërinë si pjesë e dramës së dashurisë në sfondin e vdekjes; kjo paraqitet si busull e personazhit, përderisa mania për pushtim duket veç tentativa për të dalë nga historia e gjarprit. Vetë pirate, Teuta i rrëmben piratisht kujtesën gjarprit. Nga përtej varrit ajo ushqen e mban gjallë legjendën që uzurpon, pushtim ky që respekton e garanton prapë ligjet e rrëfimit gojor të eposit.

Na vjen ndër mend ai film i habitshëm japonez, “Heshtja nuk ka krahë”, ku pothuajse e gjithë ngjarja na jepet nga pikëpamja e krimbit të mëndafshit. Dhe gjithë filmi na paraqet mandej një lloj deliri sa jashtëkohor, aq dhe mitik. Në romanin e Mira Meksit ne hasim në një gjarpër-aed, në delir. Delir, në kuptimin poetiko-filozofik, ku ai shket duke na ridhënë si botë atë që e kemi, por normalisht para syve. Me të cilat lexuesi ndjek vetë këtë delirim të gjarprit rrëfimtar, tani më shumë si pjesë e letërsisë që hedh vështrimin nëpër epope.
*Titulli në origjinal
“Piratëria në qendër të dispozitivit narrativ”
*Autorja është doktore në shkencat filologjike, pedagoge e letërsisë së krahasuar në Universitetin Paris XII

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb