POGRADEC

Thellohet skandali në prokurorinë e Pogradecit. Dosja e një aksidenti, e cila sipas kodit të procedurës penale duhet të ishte mbyllur brenda 3 muajsh, vijon të zvarritet për më shumë se 2 vjet në këtë prokurori, e cila ka ndryshuar disa herë drejtuesin dhe prokurorët e kësaj cështje.

Aksidenti u shënua në aksin Korçë-pogradec në vitin 2019 dhe prej atëherë dosja e hetimeve ka kaluar në duart e 4 prokurorëve, por asnjëri prej tyre nuk e ka cuar atë për gjykim. Në aksin rrugor Pogradec-Korcë, në vendin e quajtur “Çezma e Sanxhakut”, një kamion tip IVECO, u përplas me një mercedez benz, që drejtohej nga një shtetas grek, i cili humbi jetën. Drejtuesi i kamionit u vu në pranga, ndërsa automjetet e dëmtuara u sekuestruan deri në përfundim të hetimeve.

Fillimisht me hetimin e aksidentit u mor Sotiraq Kllapi i cili kaloi prokuror në SPAK, më pas Dorina Bejko e Shkelqim Kokona, ndërsa së fundi dosja është në tryezën e prokurorit Gjergji Ceka. Të gjithë prokurorët, sapo kanë marrë në dorë çështjen, kanë hedhur poshtë aktet e paraardhësit, madje edhe ekspertimin e kryer nga ekspertët, duke e rinisur gjithcka nga e para.

Ekspertimi teknik i urdheruar në fillim të hetimeve nxori fajtor të aksidentit viktimën, i cili kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Zvarritja e hetimeve për 2 vite nga çdonjëri prokuror nuk po sjell drejtësi për këtë ngjarje dhe mban të bllokuar për dy vjet një mjet me vlerë 80 mijë euro. Kërkesat e palëve për ta përfunduar hetimin brenda një afati të arsyeshëm, sic parashikohet nga ligji, kanë rënë në vesh të shurdhër.

News24 komunikoi me prokurorin Gjergji Ceka, i cili tha se e ka marrë dosjen vetëm muajin e fundit dhe se po kryen të gjitha proceset hetimore për gjetjen e fajtorit. E derisa të mbyllen hetimet e çështja të shkojë më në fund për gjykim, ende mbetet e pasqaruar se përse kjo dosje kalon nga një dorë në tjetrën dhe përse hetimet dhe ekspertizat e kryera hidhen poshtë sa herë ndërrohet prokurori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb