Novak Djokoviç mund të përballet me një dënim prej tre vitesh burg sipas ligjit serb, pasi ka pranuar se ka shkelur masat e karantinës për të infektuarit me koronavirus.

Numri një i botës në tenis deklaroi se kishte dhënë një intervistë për gazetën franceze L’Equipe në Beograd më 18 dhjetor, edhe pse e dinte se kishte dalë pozitiv me Covid-19.

Nëse rezulton se ka thyer rregullat, vendimet do të merren nga organet përkatëse që janë përgjegjëse për zbatimin e tyre. Nëse dikush ka rezultuar pozitiv, ai duhej të izolohej. Nuk jam në dijeni të detajeve se ku e ka kryer testin dhe kur e ka marrë përgjigjen e tij. Ka disa paqartësi në lidhje me rastin. Përgjigjet duhet t’i japë vetë Novak”, tha dje kryeministrja serbe Ana Bërnabiç.

Sipas The Guardian, Djokoviç mund edhe të dënohet me gjobë ose me tre vjet burg në vendin e tij për shkak të shkeljes së nenit 248 të Kodit Penal.

Mësohet se Novak ka rezultuar pozitiv me Covid-19 më datë 16 dhjetor, ndërsa është shfaqur në Beograd në datat 17, 18 dhe 22.

Pritet vendimi përfundimtar i ministrit të Emigracionit të Australisë, Alex Hawke, i cili po mendon nëse do t’i anulojë për herë të dytë vizën Gjokoviçit.

Gazetat Spiegel dhe Nju Jork Times zbuluan mospërputhje në testin e Djokoviç. Gjithashtu, një artikull i botuar nga The Age, gazetarët Anthony Galloëay, Paul Sakal dhe Ben Grub thanë se Novak mund të përballet deri në 5 vite burg sipas ligjit australian.

Dënimi maksimal për dhënie dëshmie të rreme sipas ligjit australian shkon deri në 5 vjet burg”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet në Spanjë gjithashtu po nisin një hetim kundër numrit një të botës në tenis. Ai udhëtoi për në Marbella në fund të muajit dhjetor dhe prokurorët spanjollë duan të mësojnë nëse ai është futur ilegalisht në vend, pasi rezultonte i pavaksinuar.

Sipas testit të tij, ai u infektua më 16 dhjetor dhe pas disa ditësh udhëtoi në Marbella për Krishtlindje. Gjokoviç jo vetëm që nuk e respektoi karantinën në Serbi, por as në Spanjë. Megjithatë, ai mund të gjobitet ose të dënohet në të dy vendet, nëse rezulton se testi i tij ka dalë vërtetë pozitiv dhe, ai nuk ka respektuar karantinën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: