TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar thirrje në drejtim të institucioneve ndërkombëtare pas vdekjeve në komisariate në vend. Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët Berisha tha se duhet të marrin fund qëndrimet e qeveritarëve të cilët sipas tij nuk kanë asnjë ndjeshmëri për jetët njerëzore.

“I bëj thirrje Komisionit për të drejtat e njeriut të OKB, i bëj thirrje komitetit antitorturë të Këshillit të Europës me urgjencë dhe procedurë të përshpejtuar të ushtrojnë çdo kontroll të duhur mbi IEVP dhe organet e policisë në mënyrë që të marrin fund dramat e tmerrshme njerëzore në birucat e këtyre komisariateve. Të marrin fund qëndrimet e këtyre qeveritarëve të cilët në fakt nuk kanë asnjë ndjeshmëri për jetët njerëzore, vdekjet e të rinjve, asfiksime apo djegie për së gjalli si ndodhi në Kamëz. Por jemi në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore. De fakto ato po arrijnë nivele diktatoriale, po arrijnë nivelet e drejtësisë së Putinit. Dhe atje ka protesta, po ka rusë që ngrihen në protesta, burgjet mbushen, por prapë dalin në protesta”, deklaroi Berisha.

Ai u ndal më tej në konferencë te raporti i Reporterëve pa kufij për lirinë e medias. Berisha iu bëri apel gazetarëve të krijojnë sindikatat e tyre për të mos shkuar në një nivel me Korenë e Veriut apo Rusinë e Putinit.

“Lajmi që sollën Reporterët pa kufij për një rrokullisje dramatike me 20 vende për lirinë e mediave, për lirinë e hsprehjes së mendimit dhe fjalës është një lajm dramatik, i paprecedentë në historinë e këtij vendi. Një saç, një kupolë e mafies shtetërore dhe e biznesve të lidhura me të, po mbyt fjalën e lirë në Shqipëri. Po mbyt lirinë e mediave dhe të mendimit. Qëndrimi ndaj këtyre zhvillimeve është i papranueshëm.

Edhe lajmi dramatik që u dha për këtë zhvillim u përcoll në mënyrën më superficiale. Unë ju bëj thirrje të krijoni sindikatat tuaja, me qëllimin e vetëm që të mos ju dhunojë dhe mos ju cenojë kush në profesionin tuaj. Është mision për vendin, nuk e bëni vetëm për veten tuaj. Tirania duhet të kundërshtohet në çdo element të saj. Me tiraninë duhet bërë çdo betejë dhe secili duhet të bëjë detyrën e tij. Përndryshe sot jemi tek Angola dhe Zimbabve, vitin tjetër do shkojmë te Koreja e Veriut dhe Rusia e Putinit. Ndaj thirrja ime është të mbrojmë fjalën e lirë, të mbrojmë lirinë e mediave si një pasuri e paçmuar për qytetarët dhe për shoqërinë dhe vendin në tërësi. Këto ishin dy nga zhvillimet më dramatike të javës, më skandaloze”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb