Dy persona kanë rënë në pranga në Elbasan, pasi akuzohen se kanë vjedhur dy kioska në qytet. Konkretisht pas hekurave ranë shtetasit Emiljan Sinani, 31 vjeç dhe Besmir Hoxha 38 vjeç, të cilët akuzohen se kanë vjedhur produkte me vlerë 75000 lekë.

NJOFTIMI I POLICISE
Muajin e kaluar, vodhën me thyerje në 2 kioska në qytet, produkte me vlerë 75 000 lekë, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Njëri nga të arrestuarit, me precedent për vjedhje. Sekuestrohen 1 sëpatë dhe 1 levë metalike, të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve me thyerje, në 2 kioska në qytetin e Elbasanit, vjedhje të kryera gjatë muajit mars 2024, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të mbështetur dhe nga inteligjenca policore, kanë identifikuar autorët e dyshuar të këtyre rasteve.

Konkretisht, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. S., 31 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, të tre banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datat 17 dhe 19 mars 2024, kanë vjedhur në 2 kioska, në lagjet “11 Nëntori” dhe “28 Nëntori”, produkte me vlerë rreth 75 000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 sëpatë dhe 1 levë metalike, të dyshuara të përdorura për të kryer vjedhjet. Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: