Policia e Shtetit, është angazhuar në një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, të koduar “TIBUS”. Operacioni është shtrirë në tre vende, Itali, Shqipëri dhe Gjermani.
Në vendin tonë, operacioni është zhvilluar nga FAST Albania, FNSH, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Interpol Tirana. Në vazhdën e operacionit “TIBUS”, Fast Albania, ka arrestuar ditën e sotme në qytetin e Vlorës 5 shtetas, të cilat janë: Albano Jazaj 25 vjeç, Dionis Maskaj 23-vjeç, Eriseld Nelaj 27-vjeç, Rezart Elmazaj 31-vjeç dhe Zigur Aliaj 25-vjeç.
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, Itali ka lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.
Dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminale, kanë transportuar drogë në drejtim të Italisë.
Droga shpërndahej nga shtetas nigerianë, të cilët kamufloheshin si të pastrehë e endacakë, për t’u mos u zbuluar. Ndërkohë, droga në drejtim të Gjermanisë dërgohej përmes autobusëve dhe linjës hekurudhore.
