Vllaznia pësoi një rënie të lirë në javët e fundit, një ecuri negative e cila pati një ndikim të madh në raport me rivalët, kjo sa i përket pikëve pasi në asnjë moment nuk dorëzuan kreun. Në Shkodër ka ardhur momenti për të reaguar, çdo pikë e lënë tani do të ndërlikonte akoma më shumë ëndrrën e tyre më të madhe, titullin kampion. Trajneri Brdaric është i vetëdijshëm për situatën ku ndodhen, atë çka kanë bërë deri më tani dhe çfarë kërkon nga sfida me bardheblutë:

“Po e presim mirë këtë sfidë, jemi përgatitur. E dimë rëndësinë e përballjes me Tiranën dhe sesi shkodranët mezi e presin. Do hyjmë në fushë për të marrë tri pikët, e bazoj këtë vendosmëri në sjelljen e skuadrës, te lojtarët e mijë. E dimë se në javët e fundit nuk kemi bërë atë që të gjithë kanë pritur”.

Kur bëhet fjalë për klasikën e futbollit shqiptarë, nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, fakt të cilin tashmë e ka kuptuar edhe Brdaric. Një fitore përballë kampionëve në fuqi do të mbante të ndezur ëndrrën e një qyteti:

“Ata janë më të mirët, e di që presin shumë nga ne. Le t’i bëjmë të ëndërrojnë, sepse njerëzit këtu identifikohen me këtë. Nesër është një ndeshje e rëndësishme dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë me mundësitë që kemi”.

Në krahë të trajnerit Brdaric në konferencë për shtyp ishte dhe Eni Imami, për të përballja me Tiranën mbetet gjithnjë e veçante dhe një fitore kundër bardhebluve do ti jepte një dozë të madhe besimin për pjesën e mbetur të sezonit:

“Atmosfera dhe entuziazmi në Shkodër, ka ndikuar pak për keq, pasi të them të drejtën, na shpallën kampion përpara kohe, kjo na dha një vetëkënaqësi ne futbollistëve, mendoj që ndaj erdhi kjo rënia kështu. Përveç kësaj pjesë, këtu janë të mrekullueshëm dhe e dashurojnë sportin. Unë mendoj që edhe kur ishim 9 pikë përpara, e kam thënë që kampionati është shumë i gjatë dhe shumë i vështirë, por sigurisht që një fitore nesër, na jep moral dhe besim. Të thuash që na shpall kampion, nuk e them dot”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb