Nga foltorja e Kuvendit, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka denoncuar me shifra dhe kronologji precize një tjetër skemë korruptive që lidh drejtpërdrejt zyrtarët më të lartë të qeverisë “Rama” me sipërmarrje private dhe figura të përfshira në afera ndërkombëtare si biznesmeni izraelit Ron Yeffet.

Balliu ekspozoi mekanizmin e tjetërsimit të fondeve publike përmes kompanisë “TIMAK” dhe shoqërisë shtetërore të mbrojtjes “KAYO”, duke faktuar se si një sipërmarrje e promovuar nga vetë kryeministri Edi Rama përfundoi në dorëzimin e 20% të aksioneve te Ron Yeffet për shifrën qesharake prej 490 eurosh, për të arkëtuar më pas miliona euro nga buxheti i shtetit.

Sipas denoncimit të bërë në Parlament, hapat e ekzekutimit të kësaj skeme janë zhvilluar në një kohë rekord pas ndërhyrjes direkte të kryeministrit, i cili sipas Balliut e ftoi Pucën në podcastin e tij dhe më pas vizitoi personalisht ambientet e kompanisë së saj në Kashar.

Ai shtoi se vetëm tre muaj pas kësaj vizite Puca bashkëpunon me Ron Yeffet, duke i dhënë 20% të kompanisë për vetëm 490 euro, ndërkohë që deklaronte rreth 10 milionë euro xhiro vjetore, ndërsa një muaj më vonë, kompania lidh marrëveshje me shoqërinë shtetërore KAYO, duke krijuar strukturën “TIMAK Defence”.

Balliu vijoi duke deklaruar se tre muaj pas krijimit të këtij partneriteti, “TIMAK Defence” përfiton një tender prej rreth 10 milionë eurosh nga Ministria e Mbrojtjes.

Në fjalën e tij, Balliu nënvizoi se kjo kronologji e saktëshme ngre pyetje të rënda penale që kërkojnë hetim të menjëhershëm, ndërsa vuri gishtin mbi ish-zv.kryeministren Belinda Balluku si pjesë të bisedave private me Ron Yeffet për këto transferta financiare.

Lidhur me këtë aferë, Balliu deklaroi nga foltorja e Kuvendit:

“Arjeta Puca, personi që Edi Rama promovoi në podcast-in e tij dhe më pas vizitoi kompaninë e saj në Kashar… Tre muaj pas atij takimi, ajo bashkëpunon me Ron Yeffet, duke i dhënë 20% të kompanisë për vetëm 490 euro, ndërkohë që deklaronte rreth 10 milionë euro xhiro vjetore. Një muaj më pas, kompania bashkëpunon me KAYO dhe krijohet TIMAK Defence. Tre muaj më vonë, TIMAK Defence merr rreth 10 milionë euro nga Ministria e Mbrojtjes. Shifrat dhe kronologjia kërkojnë përgjigje. Për çdo pjesë që pretendohet se ‘nuk kuptohet mirë’, pyeteni Arjeta Pucën. Sipas akuzave të bëra publikisht, Ron Yeffet dhe Belinda Balluku kanë diskutuar pikërisht këto çështje. Kush ka kuriozitet, pyeteni Lubin!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb