Pas 3 ditësh stërvitje në Turqi, Tirana ka kryer edhe testin e parë miqësor në kuadër të përgatitjve për sfidat e Champions League. Edhe pse përballë një skuadër modeste si Dinamo Tiraspol, kampionët e Shqipërisë janë mundur 1-2.

Bardheblutë shënuan të parët me Redon Xhixhën në minutën e 48-të. Nga minuta e 60’ trajneri Shehi vendosi të kryente rotacion në skuadër duke futur në fushë të gjithë lojtarët e rinj për t’u dhënë minutazhin e nevojshëm. Nga kjo përfitoi kundërshtari, që shënoi 2 gola dhe fitoi miqësoren.

Një humbje që nuk djeg për Tiranën, pasi ishte vetëm miqësorja e parë. Me grupin ka vijuar normalisht stërvitjen Taulant Seferi, për të cilin ka jo pak ankth në merkato. Sulmuesi 26-vjeçar ka rënë në sy me paraqitjet dhe golat e tij teksa ndodhet në orbitën e shumë skuadrave.

Së fundmi, bomberin e Tiranës e do edhe skuadra e Azerbajxhanit, Gabala. Sipas asaj që raportojnë mediat azere, skuadra e njohur është e interesuar për të dhe kërkon shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Seferi u aktivizua gjithsej në 35 ndeshje, ku shënoi edhe 19 gola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb