Taulant Seferi është i bindur se Tirana e tij do të bëjë më të mirën në Europë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i bardhebluve pranon se do të kishte dashur të shënonte më shumë. Për sfidën me Fenerbahçen pohon se skuadra ishte e lodhur. Nga ana tjetër, lojtari i bardhebluve ka prekur edhe temën e Kombëtares kuqezi, ndërsa thotë se ndihet i zhgënjyer që ekipi nuk mori fitoren që duhej.

Tirana ka mbyllur një sezon të mrekullueshëm. Keni ardhur nga faza përgatitore. Sa gati është skuadra bardheblu?

Po, jemi gati. Ajo që ka kaluar tashmë ka ikur. Ne nuk duhet të shohim pas. Duhet të shohim përpara. Duhet t’ia nisim nga zeroja, sepse është sezoni i ri. Për klubin Tirana është një verë shumë e rëndësishme. Na pret një punë shumë e madhe përpara. Përgatitjet kanë kaluar shumë mirë dhe tashmë jemi në javën para ndeshjes. Na duhet përqendrim maksimal. Duhet të jemi të qartë e të fortë dhe unë mendoj se ne jemi gati.

Emri juaj përflitet shumë në merkato. Ku do ta shohim sezonin tjetër Taulant Seferin?

Jam shumë i sinqertë me atë që po them. Nuk e kam mendjen fare te merkatoja. Jam te Tirana. Jam i përqendruar te kjo ndeshje. Jam i lumtur këtu. Ama e dini edhe ju, nëse vjen diçka pa dyshim që çdo lojtar do të kishte dëshirë të lëvizte. Po e përsëris, nuk e kam mendjen te merkatoja dhe as nuk kam parë apo lexuar gjë për mua, por jam i fokusuar te ndeshja me Dudelanzhin. Kjo është më e rëndësishme.

Ju edhe vjet luajtët në Champions. Çfarë duhet të bëjë Tirana që të kualifikohet?

Unë mendoj se duhet angazhimi i skuadrës nga i pari deri tek i fundit dhe përqendrimi. Po e patëm angazhimin dhe përqendrimin, them se Tirana ka shanse reale t’u kualifikuar. Gjithsesi, s’dua të flas për kualifikimin, sepse duhet të japim maksimumin në këtë ndeshje. Asnjë sfidë nuk është e lehtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: