TIRANE –Një efektiv i policisë rrugore është dhunuar fizikisht pasditen e sotme nga tre persona të dehur, të cilët i ndaloi pasi kaluan me semafor të kuq, në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” në kryeqytet.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se polici i rrugores, Bujar.B, e ndaloi makinën me targë AA540 FP për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi kaloi rrugën me semafor të kuq. Tre personat që udhëtonin me këtë automjet kundërshtuan policin, duke e dhunuar atë fizikisht.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së komisariatit Nr.2, të cilat vunë në pranga 3 personat që dhunuan efektivin. Mësohet se tre të arrestuarit janë identifikuar si: Fatjon Çuka, Kujtim Simoni 39 vjeç me profesion avokat dhe Pejan Krasniqi 24 vjeç.
Ditët e fundit, forcat e policisë janë vendosur në qendër të kritikave, për shkak të disa videove të përhapura në internet, ku efektivët duken teksa dhunojnë qytetarët në mes të rrugës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb