NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- Nxënësit e Tiranës edhe këtë vit do të mësojnë me turne në shkollë. Sipas ministrisë së Arsimit janë rreth 30% e shkollave të kryeqytetit që vuajnë nga mbingarkesa, mungesa e mjediseve të reja dhe zgjatja e procedurave të rikonstruksionit. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj nënvizoi se janë duke listuar shkollat më problematike ndërsa u bëri thirrje firmave që kanë fituar tenderët të përshpejtojnë punimet që mësimi me turne të jetë i përkohshëm, derisa sa të përfundojë rikonstruksioni.

“Jo të gjitha shkollat janë të gatshme, kam frikë se Tirana do të jetë me turne në masën 30%. “Qemal Stafa” punime të vonuara, punim edhe ne shkollat 9-vjeçare”, tha Malaj.

Testimi i mësuesve i shumë debatuar kohë më parë sipas Malaj do të mendohet për mekanizmat pas muajit tetor, por do të jetë testim për procesin e mësimdhënies.

“Nuk është thënë në shtator por në fillim të vitit shkollor por do jetë parimi i kualifikimit të mësuesve  dhe testimi i procesit të mësimdhënies dhe përballimit të situatave të ndryshme në shkollë, pas tetorit do mendojmë për mekanizmat”, tha Zv. ministrja.

Shqetësimeve për mangësi në tekstet shkollore Malaj ju përgjigj duke siguruar prindërit se deri në fillim të vitit shkollor ato do të jenë gati.

“Prindërit të mos jenë të shqetësuar, deri në fillim të shkollës paketa me libra do të jetë e plotësuar”, tha ajo.

Për 5 kategoritë që përfitojnë librat falas, Malaj tregoi rrugën që duhet të ndjekin.

“Prindërit para se të blejnë librat të marrin dokumentet për statusin dhe të shkojnë në drejtoritë e shkollave për t’u regjistruar për 5 kategoritë që përfitojnë librat falas”, u shpreh Malaj.

Ndërkohë që sipas drejtorisë Arsimore të Tiranës deri në javën e parë të shtatorit, në kopshte publike janë regjistruar rreth 8 mijë fëmijë. Në klasat e para 3900 fëmijë dhe në vitin e parë gjimnaz 2100 nxënës. Por për këto kategori nevojat fizike janë më të mëdha ndaj dhe fluksi dhe numri i të regjistruarve është mbi kapacitet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: