TIRANË

A është prekur nderi i dikujt në episodin e ndodhur në Librazhd, ku një e re u kap duke tradhtuar nga vjehrri dhe vjehrra? Kjo çështje po diskutohet sonte në emisionin “Open” në News24. Psikologja Besarta Taçi pyet a është nderi dhuna seksuale që iu bë vajzës, me tentativa të shumta për ta nxjerrë lakuriq. Ajo deklaroi se familja shqiptare ka ndryshuar, çiftet kanë ndryshuar.

Sipas saj burra në emigracion krijojnë marrëdhënie të tjera dhe nëse do ishte një burrë në vend të asaj vajze, kjo çështje ndoshta nuk do ishte diskutuar fare.

“Fjalët etika, morali, nderi, kodi, kultura janë fluide si terminologji, nuk janë fikse. Ndahen në një kontekst, në një komunitet, por kanë nevojë për kufizim dhe për vlerën që i jep individi, përndryshe janë thjesht fjalë, nuk kanë asnjë lloj vlere. Po flasim për nder, po nderi i kujt? Në momentin që ajo video është publikuar së pari në Telegram, më pas në shumë rrjete sociale, personalisht kur e pashë ishte një skenë që e kam parë në një skenë të një filmi italian të Giuseppe Tornatore, që është Malena, ku një fshat i gjithë, në një periudhë lufte, kur individët të gjithë ishin të prekur nga dhimbja dhe ne jemi në një periudhë të prekur nga shumë dhimbje. Jemi një popull i pluritraumatizuar. Familja ka ndryshuar, nuk duam ta pranojmë, çiftet kanë ndryshuar, e them si terapiste që ndjek shumë çifte. Arsyeja e tradhtisë është e para që sjell një çift për ndihmë dhe ne nuk jemi akoma gati që të shohim se kjo familje ka ndryshuar. Përcaktimi i etikës, morali dhe i nderit na duhet të ndihmojmë gjeneratat e reja sepse nuk po identifikohen më, nuk po dihen se ku të identifikohen.

Nderi mos është dhuna seksuale që iu bë asaj vajze. Askush nuk tha se asaj vajze është përpjekur t’i hiqej batanija dhe ta nxirrnin nudo, i janë prerë flokët dhe është nxjerrë nëpër lagje nudo. Komentet që kemi lexuar janë të frikshme. Tregojnë një shoqëri që nuk i bëjnë më përshtypje dhimbjet. Dhe unë prisja nga pikëpamja politike një reagim, që një lëvizje do ishte në këtë drejtim. Ne ndalojmë dhe flasim për nderin e shqiptarëve, por shqiptarët kanë ndryshuar ndër vite.

Kam hulumtuar mbi familjet e emigracionit. Ndarjet e emigracionit vijnë nga fakti që gruaja merr një identitet të ri në emigracion. Është e gjykuar sepse fillon të jetë e pavarur dhe merr një dimension dhe vlerë të re në familje dhe ky aspekt nuk është OK për mashkullin shqiptar, për burrin shqiptar dhe atëherë e çon drejt divorcit. Burrat në emigracion krijojnë marrëdhënie të tjera. Nëse do ishte një mashkull, një burrë në atë krevat a do ishim këtu duke e diskutuar këtë çështje”, tha psikologia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb