Pas skandalit të trafikimit të emigrantëve nga Lindja e Mesme, pas të cilit u arrestua Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit, Tiranë, bashkë me 3 zyrtarë të tjerë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim të ushtrimit të funksioneve publike” për të gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë së Kufirit në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala, bën me dije për “BalkanWeb” se pezullimi nga funksionet publike u vendos si masë për Altin Hasani, Besnik Zela, Albana Metko, Enkeleda Toska. Ndërsa për pakistanezin Salim el Cheikh Joussef u vendos t’i ndalohej dalja jashtë vendit.

Po ashtu edhe shtetësja Suela Kacabani, e cila rezulton të jetë motra e Enkeleda Toskës, Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit nuk lejohet të dalë jashtë shtetit. Asaj i morën pasaportën dhe gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hetimeve të kryera për fenomene abuzive nga punonjës policie të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë, kryesisht në zbatimin e procedurave për lëshimin e lejeve të qëndrimit ndaj shtetasve të huaj, nga Lindja e Mesme, që hyjnë në Shqipëri, u ndaluan shtetasit;

– Enekeleda Toska, me detyrë Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit, Tiranë;
– Besnik Zela, me detyrë Shefi i Sektorit në DRKM, Tiranë;
– Altin Hasani, me detyrën e Shefit të Seksionit në DRKM, Tiranë;
– Albana Metko, specialiste në DRKM, Tiranë.

“Ndalimi u krye pasi dyshohet se ata në bashkëpunim me shtetas të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdor atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e shtetasve të huaj me leje qëndrimi.

Dyshohet se ata kanë favorizuar apo ndihmuar në realizimin e trafikut ndërkombëtar të qënieve njerëzore, nëpërmjet Shqipërisë.

Është e dokumentuar se kjo veprimtari e kundraligjshme është kryer për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme.

Gjithashtu, në këtë veprimtari antiligjore, përfaqësues të firmave e kompanive të ndryshme përpilonin dokumente zyrtare të falsifikuara, të cilat konsistojnë në krijimin e kompanive fiktive, kontratave fiktive të punës, adresave të rreme, enkas për të plotësuar detyrimet sipas ligjit për të përfituar leje qëndrimi në Shqiperi.

Ndalimi u bë për veprat penale të “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet vijojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave penale të konsumuara nga këta punonjës policie.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, në datë 27 maj 2020, nisi hetimin disiplinor për “Shkelje të rënda të atributeve e kompetencave të Policisë”, ndaj 4 punonjësve të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, të ndaluar nga SHÇBA, si dhe punonjësen A.L., specialiste e Migracionit në DRKM Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb