Një aksident i rëndë me një autobus që transportonte studentë ka tronditur Francën lindore, duke u marrë jetën dy personave, një vajze 7-vjeçare dhe një 18-vjeçari. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes në rajonin e Enit, ku autobusi me 70 persona në bord doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Sipas njoftimit të prefekturës, nga aksidenti mbetën të plagosur gjithsej 16 persona, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Mes pasagjerëve kishte edhe rreth 15 nxënës, të cilët po udhëtonin me autobusin në momentin e përplasjes.

Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30, në rrugën provinciale 22, ndërsa rrethanat se si drejtuesi humbi kontrollin e mjetit mbeten ende të paqarta.

Shoferi 26-vjeçar u nxor nga autobusi dhe iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi negativ. Ai ishte punësuar së fundmi nga kompania e transportit Philibert dhe kishte rreth 18 muaj përvojë në drejtimin e autobusëve.

Kryebashkiaku i zonës, Yves Christin, deklaroi se segmenti ku ndodhi aksidenti nuk konsiderohej i rrezikshëm dhe se ngjarja ndodhi në një kthesë të lehtë.

Në vendngjarje mbërriti edhe ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, i cili konfirmoi se autobusi po kryente një linjë të autorizuar nga autoritetet rajonale dhe transportonte edhe nxënës.

“Si baba, me fëmijë të vegjël dhe një fëmijë që po kthehet nga një udhëtim me autobus shkollor, nuk mund të mos jem thellësisht i prekur nga ajo që ndodhi”, deklaroi ministri, duke shprehur tronditjen për aksidentin.

Ai theksoi se rreth 15 nxënës ndodheshin në autobus dhe se ata ishin ndër personat më të prekur nga kjo ngjarje tragjike. Ndërkohë, autoritetet franceze po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb