Tërmeti që preku Shqipërinë më 26 nëntor la shumë pasoja, 51 viktima, qindra të plagosur dhe me mijëra familje të prekura, por po aq i madh ishte dhe sensibilizimi. Të gjithë u bënë bashkë duke kontribuar në çdo formë për familjet e prekura, përjashtim nuk bëri as bota e futbollit, një sensibilizim i cili vijon të jetë ende prezent. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se më 10 janar, yjet e historikë të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në stadiumin e ri kombëtar për të zhvilluar një miqësore bamirësi për familjet e prekura nga tërmeti:

Termeti
Termeti

Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e Air Albania Stadium në datë 10 janar. Ky festival i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Hasan Şaş i cili ishte një nga liderat e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportadëshit me emrat e mëdhenj të futbollit tone dhe atij ndërkombëtar. Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit. Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët.
Federata e Fubollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb