TIRANE– Gjatë konferencës për mediat një ditë para ndeshjes me Izraelin, trajneri i Kombëtares, Kristian Panuci ka folur edhe për padinë që i bëri ish presidentit Bujar Nishani, teksa ky i fundit e quajti sharlatan për shkak të humbjes me Kosovën. Panuci u shpreh se njerëzit duhet të tregohen të edukuar dhe të flasin me korrektesë.

Pse e keni hedhur në gjyq presidentin Nishani, a keni folur me Dukën?

Çdo gjë ka vetëm një shpjegim, njerëzit duhet të tregohen të edukuar dhe të flasin me korrektesë për sa i përket deklaratave. Këto janë punët e mija, nëse jam konsultuar apo jo me presidentit.

Je i qartë për formacionin, apo ende ka dilema?

Skuadra ndihet mirë, kemi punuar mirë. Jemi të gatshëm për të përballuar një ndeshje, ditën e nesërme.

Keni deklaruar që do të luajnë lojtarët me më shumë minuta. Keni thirrur edhe lojtarë që nuk kanë minuta. Janë zgjedhje teknike? Pse nuk janë Kaçe dhe Ramadani?

Natyrisht që për shkak të emergjencës, kam thirrur edhe lojtarë me pak minuta. Për sa i përket, Bashës, Lilës dhe Ramadanit, unë kam zgjedhur eksperiencën. Kaçe nuk ka luajtur shumë.

A janë Izraeli dhe Skocia ndeshjet që vendosin të ardhmen tuaj?

Kjo nuk është një pyetje për mua, unë jam këtu për të përgatitur skuadrën. Është pyetje për presidentin.

Keni thënë që do të shohim Shqipërinë e vërtetë…do ta shohim nesër?

Uroj që të kthehemi dhe të fitojmë. Jemi përgatitur shumë këtë.

Keni përdorur 8 formacione të ndryshme në 8 ndeshje, do shohim sërish një formacion ndryshe nesër?

Do të shohim nesër kush do të zbresë në fushë. Kemi punuar me lojtarët me eksperiencë. Nesër do të shohim se çfarë do të ndryshojë në formacionin e Shqipërisë.

Ndeshjet e fundit skuadra ka pësuar 7 gola, mendoni se është klima e duhur për një ndeshje të rëndësishme?

Në 2 ndeshjet e fundit kemi testuar lojtarë të rinj. Me rikthimin e titullarëve, do të kemi një komportim më të mirë në fushë.

Qaka dhe Ramadani, nuk e kaluan testin?

Për momentin kam grumbulluar lojtarë me eksperiencë. Ata vazhdojnë të jenë në planet e mija.

Ke diskutuar me kolegët italianë, për 2 ndeshjet e fundit të Izraelit kundër Italisë?

Kemi pak informacion. Nuk kam biseduar me kolegë, por ka parë 2 videot e ndeshjes me Shqipërinë. Nuk është e njëjta skuadër dhe kemi pak informacion në lidhje me këtë.

Të hënën Shqipëria do të ndeshet me Skocinë, çfarë mendimi ka Panuçi për kombëtaren skoceze. Çfarë mbani mend nga goli juaj në Skoci?

Respekt për punën tuaj, por ne kemi Izraelin përpara, pastaj Skocinë. Do të filloj të mendoj të shtunën për Skocinë dhe mund t’iu them gjithçka .

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: