Albi Doka është prezantuar si futbollisti më i ri i skuadrës së Honved në Hungari. Në fjalinë e tij hapëse, ai bëri një referencë me kombëtaren tonë, në lidhje me ngjyrat kuqezi që ka ekipi hungarez.

“Më pëlqejnë ngjyrat! Jam shumë i lumtur të jem këtu, Honved është një klub me shumë histori. Kampionati hungarez është bërë më i fortë në vitet e fundit, ekipe të mëdha ndeshen me njëra-tjetrën çdo javë. Ky është një hap i madh në karrierën time si futbollist. Gjithashtu kjo mund të më ndihmojë për rolin tim në kombëtare”, – ishin fjalët e Dokës.

Kur u pyet për ekipin e tij të ri dhe nëse kishte miqësi me ndonjë, përgjigja e Dokës ishte: “Unë personalisht nuk njoh asnjë nga lojtarët, por jam i sigurt se do t’ia kalojmë mirë dhe mezi pres t’i takoj. Jam gati për këtë sfidë, jam stërvitur gjatë gjithë kësaj kohe me ish-ekipin tim dhe e di që jam në formë të mirë”, u përgjigj 24-vjeçari.

Albi Doka

Për ta mbyllur, Albi Doka foli për veten e tij: “Unë jam ai lloji lojtari që gjithmonë synon maksimumin. Kam pritshmëri shumë të larta në performancat e mija. Sigurisht që parësore është interesi i klubit, pasi futbolli është një lojë skuadre, ku pa njëri-tjetrin ne nuk mund të arrijmë asgjë. Unë pres shumë nga karriera ime këtu dhe do të punojë fort që të ndihmojë ekipin në çdo mënyrë të mundshme”.

Mbrojtësi i djathtë i përfaqësues shqiptare kishte luajtur në vitet e fundit me skuadrën e Gorica në Kroaci, duke qenë një titullar fiks në këtë ekip, por duket se tashmë ka ndërmarrë një hap tjetër në karrierë, duke shpresuar që të bjerë në sy në kampionatin hungarez.

Doka është transferuar te Honved në formën e huazimit deri në fund të sezonit, ndërsa atëherë do të vendoset nëse do të vazhdojë karrierën në këtë klub apo do të kthehet te Gorica që zotëron kartonin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb