Këngëtarja e njohur botërore Madonna ka folur hapur për ndikimin që karriera e saj intensive ka pasur në shëndetin fizik, duke zbuluar se vuan nga dëmtime serioze në gjurin e saj. Në një intervistë për revistën Interview, Madonna tha se vite të tëra kërcimi me taka të larta, aktiviteti fizik i fortë dhe stërvitjet e vazhdueshme kanë çuar në dëmtim të rëndë të kërcit në njërin gju. “Kam një problem me gjurin tani. Nuk kam fare kërc,” u shpreh ajo, duke shtuar se rutina e saj përfshinte edhe aktivitete të rënda si vrapi në asfalt dhe forma intensive të jogës.
Artistja tregoi se deri vonë kishte një regjim shumë të ngarkuar stërvitor, përfshirë kërcime në trampolinë dhe ushtrime kardio me intensitet të lartë, por tashmë është detyruar t’i reduktojë për shkak të gjendjes së saj. Pavarësisht problemeve shëndetësore, ajo theksoi se nuk është tërhequr nga aktiviteti fizik, duke vijuar me ushtrime më të kontrolluara si çiklizmi dhe stërvitje të moderuara.
Problemet me gjurin e kanë shoqëruar edhe në turnetë e fundit, ku ajo është shfaqur me mbështetëse speciale, ndërsa në turneun “Madame X Tour” më herët është detyruar të anulojë disa koncerte për shkak të dhimbjeve të forta.
Në të njëjtën intervistë, Madonna foli edhe për vështirësitë në realizimin e filmit të saj biografik, duke treguar se projekti me Universal Pictures u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin. Ajo tha se kishte punuar për dy vite mbi skenarin, por studioja nuk arriti të mbështeste projektin në formatin e propozuar. Më pas, sipas saj, edhe një version serial i propozuar nga Netflix hasi pengesa ligjore për përdorimin e materialit të shkruar.
Pavarësisht këtyre vështirësive, këngëtarja theksoi se vazhdon të jetë aktive në muzikë dhe aktualisht po promovon projekte të reja, përfshirë albumin dhe një film të shkurtër që shërben si paraprijës i materialit të saj të ardhshëm artistik.
