MAT- Pas vrasjes së trefishtë të regjistruar sot në Mat, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të vrasjes.

Autori i vrasjes sipas policisë është Kujtim Koxha, ndërsa nga frika e ndonjë hakmarrjeje, autoritetet policore kanë marrë menjëherë në mbrojtje familjen.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti që dyshohet për motive pronësie. Sipas të dhënave zyrtare punonjësit e Bashkisë, Mentor Hoxha, Erzen Alija, Astrit Hani dhe Hamit Buçi kishin shkuar për të hapur një rrugë në fshatin Shëlli.

Ata kanë pasur një konflikt me një banor të fshatit që ka qëlluar drejt tyre me automatik. Në vend ka mbetur i vrarë Mentor Hoxha, ndërsa rreth 2 orë më pas ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës edhe Erzen Alija dhe pas tij dhe Hamit Buçi. I plagosur është shtetasi Astrit Hani. Policia ka arrestuar në kohë rekord autorin e sulmit me armë, 51-vjeçarin Kujtim Koxha.

Dy orë pas ngjarjes së rëndë ku mbetën të vdekur tre punonjësit e bashkisë u bë arrestimi i autorit të “masakrës”, Kujtim Koxha, raporton “BalkanWeb”.

Çfarë tha kreu i Bashkisë së Matit për vrasjen e trefishtë:

Kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani, ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në fshatin Shëlli, ku tre persona u vranë me automatik nga 51-vjeçari Kujtim Koxha. Në një prononcim për “News24” dhe “BalkanWeb”, Rizvani tregoi për telefonatën e fundit me brigadierin, një prej personave të përfshirë në ngjarje.

“Për ngjarjen më njoftoi brigadieri në telefon. Brigadieri më tha që ‘na vranë duke ngrënë bukë’. Konflikti nuk ka ndodhur për hapjen e rrugës. Sipas dëshmitarëve, autori ka qenë i dehur”, ka thënë Rizvani.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb