Dueli i radhës në kampionat për Vllazninë në kampionat luhet kundër Vorës, me shifrat që flasin qartë në favor të shkodranëve, të cilët kanë dominuar tre duelet e para të kampionatit 2025-26. Kuqeblutë kanë treguar një stabilitet të admirueshëm, sidomos në repartin difensiv, duke mos pësuar asnjë gol deri më tani ndaj Vorës, një tregues i qartë i organizimit dhe qëndrueshmërisë.
Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia arriti të triumfojë me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku eksperienca dhe cilësia individuale bënë diferencën. Golat e shënuar nga Balaj dhe Murataj vulosën një fitore të merituar për shkodranët, të cilët kontrolluan lojën në pjesën më të madhe të takimit, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit.
Në përballjen e dytë sezonale, të dy skuadrat ndanë nga një pikë pas një barazimi pa gola, 0-0. Ishte një sfidë më e ekuilibruar, ku Vora tregoi më shumë rezistencë dhe kujdes në mbrojtje, ndërsa Vllaznia nuk arriti të shfrytëzojë rastet e krijuara për të dalë me tre pikë. Megjithatë, edhe në këtë duel, kuqeblutë ruajtën paprekshmërinë e portës. Ndërkohë, në takimin e tretë mes tyre, Vllaznia u rikthye te fitorja minimale 1-0 falë golit të Kallakut.
Një ndeshje e luftuar, ku një episod vendosi fatin e sfidës, por që konfirmoi edhe një herë epërsinë e shkodranëve në përballjet direkte këtë sezon. Me dy fitore dhe një barazim, si dhe me një bilanc perfekt në mbrojtje, të besuarit e Martinit do të kërkojnë ta pasurojnë këtë statistikë këtë të shtunë në duelin e radhës të kampionatit. Përballja e katërt premton intensitet dhe rivalitet, ndërsa Vllaznia synon të ruajë dominimin, ndërsa Vora do të tentojë të thyejë “tabunë” dhe të gjejë golin e parë përballë shkodranëve.
