Tri fitore radhazi dhe Kukësi nga fundi i renditjes ngjitet në vendin e katërt në renditje, pesë larg kreut. Verilindorët triumfuan 0-2 në “Niko Dovana” kundër Erzenit, duke lënë pas njëherë e mirë krizën e fillimit të sezonit.

Me këtë sukses, Kukësi futet plotësisht në shinat e pretendimeve, ndërsa Erzeni humbet atë shkëlqimin që pati në 7 javët e para. Shijakasit e nisën me agresivitet ndeshjen dhe ishin kërkues në minutat e para, por më pas Kukësi mori frenat e lojës në dorë dhe në minutën e 17 zhbllokoi takimin.

Pas një harkimi në zonë të Ndrecës, topi shkon te kroati Basha, i cili gjuan dhe dërgon topin në rrjetë. Kukësi merr zemër dhe rrezikon sërish, ndërsa vendasit nuk kanë qartësinë e duhur kur dalin parë. Ka edhe tension mes futbollistëve, por pa përplasje fizike. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për verilindorët.

E dyta nis më mirë për Erzenin, që kërkon të barazojë. Megjithatë, është Kukësi që shënon përsëri. Në minutën e 68-të, traversa fillimisht shpëton skuadrën shijakase pas gjuajtjes së devijuar të Ndrecës, por më pas është Meksi i cili harkon në zonë dhe aty Gabriel Barbosa me kokë çon sferën në rrjetë. Ky gol do të vriste ndeshjen, me vendasit që ishin ta pafuqishëm për të shënuar, ndërsa miqtë mbrojnë avantazhin e dyfishtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb