Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin mund të mos përfundojë deri pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të zhvillohen më 3 nëntor. Sipas Trump, Teherani nuk do të jetë në gjendje të rezistojë më gjatë dhe konflikti pritet të përfundojë “menjëherë pas zgjedhjeve”.
“Menjëherë pas zgjedhjeve, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm”, u shpreh Trump para gazetarëve, ndërsa udhëtonte drejt Teksasit për konventën e parë të Partisë Republikane në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment kur luftimet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar dhe çmimi global i naftës ka arritur në 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga korriku. Rritja e çmimeve të energjisë ka shtuar shqetësimet për ndikimin në ekonominë amerikane, veçanërisht në çmimet e karburanteve dhe mallrave.
Trump tha se lufta mund të përfundojë pak më vonë se zgjedhjet e nëntorit, duke përsëritur në Teksas se çmimi i naftës do të ulet ndjeshëm “sapo të fitojmë luftën me Iranin”.
Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Iranin se po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet amerikane, duke pretenduar se Teherani dëshiron që në pushtet të vijnë demokratët. Trump nuk paraqiti prova për këtë pretendim.
Ndërkohë, Irani ka mohuar vazhdimisht se po përpiqet të sigurojë armë bërthamore.
Lufta, e cila tashmë ka hyrë në muajin e shtatë, po i shkakton Trumpit presion të shtuar edhe brenda Partisë Republikane. Rënia e mbështetjes në sondazhe dhe shqetësimet për çmimet e karburanteve kanë bërë që disa republikanë, përfshirë mbështetës të tij, të kërkojnë një përfundim sa më të shpejtë të konfliktit.
Në konventën republikane në Teksas, Trump u përpoq të mobilizonte partinë për zgjedhjet e nëntorit, në të cilat republikanët rrezikojnë të humbasin kontrollin mbi Kongresin. Historikisht, partia e presidentit në detyrë ka tendencë të humbasë vende në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit.
Përshkallëzimi i konfliktit është shoqëruar me sulme ndaj infrastrukturës energjetike në rajon. Ushtria amerikane tha të mërkurën se kishte goditur pesë anije cisterna nafte të lidhura me Iranin, ndërsa mediat shtetërore iraniane raportuan sulme ndaj dy shkatërruesve amerikanë dhe tetë anijeve cisterna në Ngushticën e Hormuzit.
Një ditë më parë, Huthët e lidhur me Iranin në Jemen ndërmorën një seri sulmesh në Arabinë Saudite, duke shkaktuar zjarre në disa objekte nafte.
Trump tha se mund të ketë negociata të tjera me Iranin, por shtoi se një proces i tillë “nuk është diçka që po e shqyrtojmë” aktualisht. Ai kishte parashikuar fillimisht se konflikti do të zgjaste vetëm disa javë.
Ndërkohë, rritja e kostove të karburantit po shton shqetësimet për inflacionin dhe mund të ndikojë edhe në normat e interesit në SHBA.
