Presidenti i SHBA, Donald Trump propozon që ish-gjenerali amerikan në NATO, Eric Wendt të jetë ambasadori amerikan në Shqipëri.
Në një njoftim për shtyp nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, lidhur me nominimet dhe tërheqjet e deleguara në Senat, sqarohet pozicioni i menduar për Wendt, si drejtues i trupës diplomatike të Uashingtonit në Tiranë.
“Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë“, shkruhet në njoftimin për media nga Shtëpia e Bardhë.

Kush është Eric Wendt
Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati.
