Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë propozimin e Teheranit për një armëpushim shtatëditor, duke u bërë me dije bashkëpunëtorëve të tij se pret të rifillojë bombardimet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, raporton gazeta prestigjioze “Wall Street Journal”.

Iniciativa e Teheranit, e përcjellë drejt Uashingtonit përmes ndërmjetësve nga Katari, parashikonte pezullimin e menjëhershëm të luftimeve në rajon dhe rihapjen brenda një jave të Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet një nga rrugët më kryesore strategjike për transportin botëror të naftës dhe gazit.

Në këmbim të ndërprerjes së luftimeve, pala iraniane kërkonte që Shtetet e Bashkuara të hiqnin bllokadën detare ndaj porteve të saj, të lehtësonin sanksionet mbi eksportet e naftës dhe të zhbllokonin asetet financiare iraniane të ngrira jashtë vendit. Plani parashikonte gjithashtu ndërprerjen e përplasjeve në fronte të tjera rajonale, përfshirë Libanin, me qëllim që pas periudhës shtatëditore palët të nisnin negociata më të zgjeruara për programin bërthamor.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe Presidenti Masoud Pezeshkian deklaruan se forcat iraniane do t’i përmbaheshin menjëhershëm planit sapo ai të pranohej nga pala amerikane. Megjithatë, burimet e “Wall Street Journal” bëjnë me dije se Trump mbetet mjaft skeptik për vullnetin e Teheranit për t’iu përgjigjur kërkesave të Uashingtonit.

Administrata amerikane u ka bërë të qartë ndërmjetësve se nuk synon të heqë bllokadën detare, duke llogaritur se presioni i vazhdueshëm ekonomik do ta detyrojë Teheranin të pranojë një marrëveshje me kushte të tjera. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se një takimi treorësh mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë i ndërmjetësuar nga Katari nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm për rigjallërimin e diplomacisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb