“Shqipëria do të jetë e sukseshme nëse do të arrihet që turistët, të mos vijnë në vendin tonë vetëm për plazhet, por të vijnë edhe për natyrën”. Kështu e nisi fjalën e tij, ministri Klosi, gjatë një aktiviteti të zhvilluar me të rinjtë e Smile Albania dhe Rangers-t e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në Vain të Lezhës, ku theksoi se detyra e tyre, veçanërisht këto dy muaj është të shpërndajë informacion dhe të ftojë sa më shumë turistë për tu njohur me ofertën turistike të Shqipërisë.

“Kjo është detyra jonë, që të kemi mundësi që këto pasuri që rangers-at i mbrojnë ti shtojmë sa më shumë, ti japim zonave të mbrojtura më shumë mundësi për ti vizituar, me qëllim kthimin e tyre në asete turistike. Mendoj që ju djem dhe vajza keni qenë shumë aktiv në mbrojtjen e këtyre pasurive, në evidentimin e shkeljeve në dëm të tyre dhe shpreh bindjen time se do të vazhdoni ti mbroni këto pasuri edhe me qëllim zhvillimin e industrisë së turizmit në këto zona. Ndaj, një nga arsyet e rekrutimit të studentëve, përmes projektit Smile, drejtpërdrejt nga universitetet që janë të profilizuar për turizëm, mjedis dhe në degët e gjuhëve të huaja, është që ta shihni veten edhe si punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe të gjithë sistemit mjedisor. Është një biznes i ri i turizmit në vendin tonë, prandaj kemi shumë nevojë për njerëz që i kuptojnë këto dy parime”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, projekti Smile Albania, në vitin e tij të dytë kërkon që përveç entuziazmit dhe suksesit të një viti më parë, ti shtohen edhe disa detyra profesionale, që Smajl-istët do të duhet të bëjnë gjatë zbatimit të këtij projekti. “Detyra e smajl-istëve është që të evidentojnë problematikat që kemi në zonat ku ju ushtroni aktivitetin tuaj si mikpritës të turistëve; Të evidentoni problematikat e menaxhimit të zonave të plazhit, një detyrë që duhet ta bëni çdo ditë, problematikat në kuadër të pastërtisë, të sigurisë dhe në kuadër të gjithë sistemit, që duhet të ndërtojmë për mikpritjen”, u shpreh ministri Klosi.

Ai shtoi se qëllimi i këtij aktiviteti nuk është vetëm kërkesa drejtuar studentëve të Smile Albania për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së natyrës me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. “Ajo që ne duam të lançojmë sot është që ne të bëjmë 3 konkurse, për të cilat do të kemi edhe nga një çmim, që kanë të bëjnë me atë që thashë më parë; detyrën kryesore që ne kemi për të promovuar vendet tona turistike. Janë 3 konkurse, ku do të zgjedhim foton më të bukur, pra foto që merr më shumë klikime dhe më shumë pëlqime në rrjetet sociale, video më e bukur promovuese për zonat turistike të vendit me prezencën e turistëve tuaj dhe buzëqeshja më e bukur.

Janë këto tre konkurse, të cilat do të kërkojnë që të rritet një konkurrencë simpatike ndërmjet komuntetit tuaj dhe që vjet ka qenë shumë e suksesshme. Në shenjë simbolike, për të vlerësuar punën e njerëzve të dedikuar për të mbrojtur natyrën, ministri Klosi i dorëzoi certifikatën e mirënjohjes Gjergj Dedajt, si rangers-i më me eksperiencë, duke motivuar njëkohësisht Bruno Ccaushaj, përfaqësues i Junior Rangers në parkun Kombëtar “Divjakë Karavasta”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb