TURQI-Zëdhënësi i Partisë qeverisëse të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK) në Turqi, Ömer Çelik, e cilësoi vdekjen e gazetarit saudit Jamal Kashoggi si “vrasje e planifikuar dhe e komplikuar”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në selinë e partisë, Çelik tha: “Vrasja e Jamal Khashoggit është një vrasje e planifikuar në mënyrë brutale dhe shumë e komplikuar, për të cilën kishte përpjekje për ta mbuluar”.

“Unë shpresoj se ata që janë përgjegjës për vrasjen e Khashoggit do të dënohen dhe askush të mos mendojë kurrë ta përsërisë atë”, shtoi Çelik.

Gazetari Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën, në kohën kur gazetari ishte ende brenda, kanë njoftuar burime të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim të enjten, pasi kreu ekzaminime në rezidencën e konsullit dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb