Turqia ka intensifikuar përpjekjet e saj diplomatike për të lehtësuar bisedimet e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, duke shprehur gatishmërinë e saj për të pritur udhëheqësit e të dyja palëve, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, së bashku me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe Ministri i Jashtëm Hakan Fidan kanë kryer diplomaci intensive në ditët e fundit pas shpresave në rritje për rifillimin e bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës në Turqi.

Erdogan do të presë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte sot,më 13 maj, në Ankara përpara se ky i fundit të kryesojë takimin informal të ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalia më 14 dhe 15 maj. Erdoğan dhe Rutte pritet të diskutojnë axhendën e takimit të NATO-s dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Erdogan foli me Zelenskyn ditën e djeshme, më 12 maj, duke theksuar rëndësinë e vullnetit për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta midis dy palëve dhe se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme në çdo fazë të procesit.

Në fjalimin e tij pas mbledhjes së kabinetit, Erdogan kujtoi se Turqia gjithmonë u ka bërë thirrje të dyja palëve që ta përfundojnë luftën përmes një marrëveshjeje, duke theksuar: “Ne arritëm shumë afër gjetjes së një zgjidhjeje për krizën Rusi-Ukrainë në mars 2022. Megjithatë, përpjekjet tona u penguan nga ndërhyrjet e baronëve të luftës.”

Erdogan vlerësoi se përpjekjet e fundit kanë hapur një dritare të re mundësish dhe shprehu shpresën e tij se “këtë herë mundësia nuk do të lejohet të shkojë dëm”.
“E trajtova këtë çështje edhe me Presidentin e SHBA-së, z. Trump, javën e kaluar, duke diskutuar hapat që mund të ndërmerren për të ndaluar gjakderdhjen, unë mbështes vullnetin e mikut tim të çmuar, z. Trump, për të zgjidhur konfliktet e nxehta përmes dialogut dhe diplomacisë”, shtoi Erdogan.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm Hakan Fidan shkëmbeu biseda telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Ministrin e Jashtëm francez Jean-Noel Barrot mbi përpjekjet në zhvillim e sipër për bisedime të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit në Stamboll.

Në të gjitha këto bisedime, Fidan diskutoi se si të mblidhen të dy palët në Stamboll më 15 maj, siç sugjeroi Putin më parë. Ankaraja e ka bërë të qartë se është e gatshme të presë të dy vendet dhe të kontribuojë në proces, siç ishte rasti në mars 2022.

Këto përpjekje përkojnë gjithashtu me takimin informal të NATO-s që do të organizohet nga Turqia në Antalia. Ministrat e jashtëm nga 32 aleatë do të marrin pjesë në takim, i cili do të përqendrohet në konsolidimin e sigurisë euroatlantike dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb