DURRËS

Detaje të reja janë zbardhur nga zjarri i rënë mesnatën e kaluar në Spitalin e Durrësit, duke shkaktuar panik të madh te pacientët.

Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, tha për gazetaren e “BalkanWeb”, Klodjana Haxhiaj, se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.

Sipas drejtoreshës Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.

“Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 qe kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë.

Evakuimi i të gjithë pacientëve u bë pasi u shkaktua një tym i madh që përfshiu katin e parë e deri në të katërt. Fillimisht kanë ndërhyrë rojet e spitalit, derisa kanë ardhur zjarrfikëset e Durrësit. Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha drejtoresha e Spitalit për gazetaren Haxhiaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb