Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji e konsideron të turpshëm qëndrimin dhe deklaratat që bëri Kryeministri Edi Rama në Londër gjatë vizitës zyrtare ku u takua edhe me Kryeministrin britanik Rishi Sunak.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Salianji u shpreh se Rama ka shkuar në Londër “i ndihmuar” nga bandat kriminale.

Sipas tij, arsyeja e vizitës ishte rritja e kriminalitetit në Angli me origjinë nga Shqipëria.

“Këto janë turpe ku një Kryeministër i cili nuk ka dot në kontroll apo për më tepër e nxit kriminalitetin në vendin e vetë dhe e ka kthyer Shqipërinë, sipas raportit të DASH, në qendër operacionale për trafikun e kokainës, në vendburim për kanabisin, shkon aty dhe bën deklarata populiste. Askush prej qeveritarëve britanikë nuk e ka çështjen me Shqipërinë.

Janë shifrat ato që janë shqetësuese. Çfarë bëri Kryeministri me deklaratat e sotme? Riktheu në media të gjitha akuzat për shqiptarët prapë nga fillimi. Në përpjekje për të shmangur drejtësinë, Edi Rama u bëri dëm sot shqiptarëve. Pra nëse do të kishte një qasje serioze sot, Edi Rama duhet të kërkonte më shumë leje qëndrimi për shqiptarët, duhet të kërkonte lehtësim të procedurës së vizave për qytetarët shqiptarë, duhet të kërkonte që një pjesë e qytetarëve shqiptarë të cilët do të kthehen tani…

E di çfarë prodhoi kjo sot? Pse ka shkuar? Kush e ka ndihmuar? E ndihmojnë “çunat problematikë” apo bandat. Bandat për të mbledhur vota, për të ndarë pushtetin ekonomik, bandat për ta mbajtur në pushtet, bandat për të takuar Kryeministrin e Britanisë. Takimi i Ramës sot me Kryeministrin e Britanisë është për shkak të rritjes së kriminalitetit me origjinë nga Shqipëria. Për këtë arsye, çunat problematikë e kanë çuar në Londër Ramën”, tha ndër të tjera Ervin Salinji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: