I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte Alfred Muharemi, drejtor Rajonal i Qarkut Tiranë në Shërbimin Social Shtetëror. Ai sikurse të ftuarit e tjerë të programit rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim për jetën e tij profesionale, por edhe për atë familjare.

Fati nuk ishte me të në ditën e tij të lindjes pasi u braktis në maternitet dhe jeta e tij kaloi në duart e institucioneve të përkujdesjes, nga shtëpia e foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, më pas në shtëpinë e fëmijëve në Shkodër, ku ra preh e abuzimit fizik dhe psikologjik, dhe prej aty dy vite më pas kaloi në SOS Fshatrat të Fëmijëve.

Për SOS Fshatrat e Fëmijëve ai tha se trajtimi, përpos problemeve, kishte frymën familjare dhe nuk mungonte përkujdesja. Alfred Muharemi tregoi se në moshën 23-vjeçare i është thënë që nëna e tij ka ndërruar jetë 5 ditë pasi ai lindi. Alfredi tregoi se falë psikologut që ka patur nga mosha 5-10-vjeçare ka mundur t’ia dalë dhe të merrte më të mirën nga jeta apo nga ky institucion.
Muharemi tha se krijoi lëvizjen e parë në SOS, ku fëmijët që ishin të mirë në një lëndë, p.sh. matematikë dhe fizikë, u jepnin mësim atyre që ishin më pak të mirë. Ai rrëfeu edhe vështirësitë me të cilat u përball pasi u largua nga SOS, ku i duhej të punonte gjatë muajve të verës në mënyrë që gjatë periudhës së shkollës të arrinte në njëfarë mënyre standardin e fëmijëve të tjerë. “Ka patur periudha gjatë gjimnazit që haja vetëm një vakt”.
Gjatë vitit 2012 ai së bashku me disa fëmijë të tjerë jetimë krijoi lëvizjen e advokimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve pa kujdes prindëror, ku u bashkuan edhe ata fëmijë që kishin vetëm një prind. Falë kësaj lëvizje ata kanë mundur të mbështesin 519 familje me fëmijë jetimë, duke ndërtuar dhe rikonstruktuar dhjetëra banesa, mbështetje me bursa studimi dhe mundësinë e punësimit.
Alfred Muharemi, gjatë programit foli për raportin shumë të mirë dhe mbështetjen që ka marrë nga kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe nga kryeministri Rama.
Tashmë prej vitesh fati i ka buzëqeshur Alfred Muharemit. Ai ka gjetur dashurinë e jetës së tij dhe dasmën me njeriun e tij të zemrës e ka realizuar në SOS. Me sinqeritet rrëfeu se tashmë jeton me prindërit e partneres së tij, të cilët janë një mbështetje e madhe për ta.
Moment shumë emocionues, nga i cili ai u përlot, ishte kur në studio u shfaq një videomesazh nga bashkëshortja e tij, e cila në prehër mbante djalin e tyre të vogël. I pyetur nëse do të kenë një fëmijë tjetër, ai tha se dëshiron një vajzë, por ndau edhe dëshirën e madhe që ka për të birësuar një fëmijë.
Muharemi shtoi se bashkëshortja e tij ende nuk është dakord pasi ka merakun mos nuk do të ketë të njëjtën dashuri që ka për djalin e tyre biologjik. “Aktualisht kujdesemi për një fëmijë duke i dërguar një buxhet të caktuar”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb