Nexhmije Hoxha ka qenë dëshmitare në shumë ngjarje të mëdha politike që kanë ndodhur, kryesisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.
Ajo ka ndjekur hap pas hapi të shoqin, diktatorin Enver Hoxha, në të gjitha problemet që ka hasur gjatë drejtimit të partisë-shtet, në dilemat dhe përplasjet që ka pasur, ka marrë pjesë në mbledhje e debate, ku janë vendosur fatet e disa prej krerëve të udhëheqjes komuniste.

Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha ndalet edhe në ngjarjet që ndodhën në Ushtri, që u mbyllën me dënimin e krerëve më të lartë të saj. Ajo tregon se ku konsistonin “Tezat e zeza” të Beqir Ballukut, cili ishte roli i Petrit Dumes dhe qëndrimi i Mehmet Shehut, që pas dorëheqjes së Ballukut mori pozicionin e ministrit të Mbrojtjes.

Enver And Nexhmije Hoxha
Enver And Nexhmije Hoxha

E veja e diktatorit tregon edhe për karakteret e Ballukut e të Dumes dhe mënyrën se si ata e përdornin postin.

VITET 1973-1974. NGJARJET NË USHTRI. MEHMETI EMËROHET MINISTËR I MBROJTJES

Në janarin e vitin 1974, kur u konsiderua e kapërcyer gjendja e rëndë e krizave të zemrës, mjekët i rekomanduan Enverit vetëm 2-3 orë punë në ditë dhe programuan afatin e konvaleshencës deri në vjeshtën e atij viti, për të bërë një pushim të plotë gjatë verës. Vetëm kur Enveri filloi të shkonte përsëri në zyrë, Hysni Kapoja i raportoi për gjendjen në Ministrinë e Mbrojtjes, për grindjen që po ndodhte në kupolën e Ushtrisë mes tre gjeneralëve më kryesorë.

Mosmarrëveshjet mes titullarëve të lartë të këtij dikasteri ishin acaruar shumë. Kjo e shqetësoi Enverin. Meqë këtij, në atë kohë, nuk i lejohej nga mjekët të merrte pjesë nëpër mbledhje, që të mos i prishej ekuilibri i zemrës, ai ngarkoi Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon të thërrisnin ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballukun dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumen, që të jepnin shpjegime për qëndrimet dhe mosmarrëveshjet e tyre.

Nexhmije Hoxha
Nexhmije Hoxha

Pyetjeve të shumta këmbëngulëse që u bënë Mehmetit dhe Hysniu, titullarët e lartë të Ushtrisë nuk dinin si t’u përgjigjeshin. Por, më në fund, Petrit Dumja, për të shpëtuar veten tha: “Me Beqir Ballukun kam kundërshtime parimore”. Vetëm kaq. Beqir Balluku nuk e priste këtë sulm nga krahët, pasi ata të dy kishin qenë në një mendje për t’i hyrë punës për përpunimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes në një variant të ri (që nuk ishte ai që kërkonte Këshilli i Mbrojtjes, por ai që po konturonin në kokën e tyre), prandaj u revoltua, u hodh përpjetë dhe goditi me grusht në tryezë, duke bërtitur: “Kërkoj që KQ t’i vejë deri në fund kësaj çështjeje”.

Kur i raportuan për shpërthimin që ndodhi mes Ballukut dhe Dumes, Enver Hoxha deshi të sqarohej më mirë: Pse kishin arritur deri në këtë pikë mosmarrëveshjet në krye të Komandës së lartë të Ushtrisë dhe çfarë thuhej në materialet e përgatitura nga Beqir Balluku? Për këtë, ai ngarkoi Hysni Kapon të analizonte këto materiale. Në to shtrohej çështja sikur Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk përputheshin me kërkesat e parimeve dhe koncepteve themelore të Artit tonë Ushtarak, prandaj dhe propozonin teza të tjera, që të përputheshin me Artin Ushtarak Popullor, të shprehura në fjalimin e Enver Hoxhës në Plenumin e 12-të të KQ (1971).

Ky formulim i Beqir Ballukut me shokë e revoltoi Enverin, i cili u shpreh: “Mos duan vallë autorët që, duke përdorur thëniet e mia në Plenumin e 12-të të KQ, të maskojnë tezat e tyre të rrezikshme… është kjo një orvatje djallëzore, shprehje e mendimeve armiqësore që kanë për qëllim përçarjen e udhëheqjes së Partisë?”. Kur flet për përçarje, Enveri kishte në mendje synimin e Beqir Ballukut dhe të grupit të punës për ta vënë Enverin kundër Mehmetit, duke u nisur nga fakti që ishte Mehmeti ai që formuloi tezat.

Beqir Balluku në “përpunimin” a korrigjimin” që u bëri atyre, përdorte, si kundërvënie, citatet e Enver Hoxhës, sikur tezat të ishin personale të Mehmet Shehut, kurse ato ishin të Këshillit të Mbrojtjes, që dha orientimin dhe miratimin e tij. Antitezat ose “tezat e zeza” të këtij grupi ishin krejt të gabuara dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse në to përjashtohej mbrojtja në front të rregullt… sepse, sipas formulimit të tyre, “armikun nuk e kundërsulmojmë dot, as nuk e ndalim dot”.

Enver Hoxha 3
Enver Hoxha 3

Në to, strategjia e Partisë dhe e shtetit tonë për mbrojtjen qe përmbysur kokëposhtë: në vend të mbrojtjes dhe rezistencës frontale, rekomandohej “teoria e rrëshqitjes”, sipas së cilës, në rast sulmi masiv të agresorit dhe përballë teknikës së tij të lartë, rekomandohej tërheqja e forcave tona mbrojtëse nga zonat e ulëta bregdetare dhe nga qytetet, në drejtim të maleve dhe këtu të organizonin luftë partizane, si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

Kjo “logjikë” nuk ishte gjë tjetër veçse një logjikë kapitullimi, sepse, sipas saj, armikut i liheshin hapur rrugët dhe terreni ynë fushor. Dhe këto thuheshin në një kohë kur ne kishim, tashmë, një shtet të konsoliduar, me një Ushtri të organizuar mirë, që ishte e përgatitur për të kryer detyrën e mbrojtjes së atdheut, të çdo pëllëmbë toke, të çdo qyteti e fshati, të njerëzve tanë dhe të pasurive të tyre, familjare e shtetërore. Nuk ishim në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, kur Partisë sonë të re iu desh të organizonte e të udhëhiqte luftën partizane, kur popullit tonë iu desh të dilte e të luftonte malit. Dua të theksoj se, pas shkarkimit të Beqir Ballukut, Enveri emëroi Mehmet Shehun ministër të Mbrojtjes, duke e lënë njëkohësisht Kryeministër.

Përsëri Mehmeti në këmbë! Përsëri Enveri tregon shumë besim tek ai, megjithatë vazhdonte të ndiqte me vigjilencë dhe shqetësim zhvillimet dhe ngjarjet në Ushtri. Për t’u shënuar është edhe fakti që Mehmeti mbajti zëvendës të tij, në ministri, pikërisht dy bashkëpunëtorët e Beqir Ballukut, Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Kështu dha përshtypjen se ai i shfajësonte plotësisht ata. Kjo përshtypje u përforcua në një mbrëmje të atyre ditëve, kur bashkë me Enverin po bënim një shëtitje në rrugën para shtëpisë sonë.

Beqiri Balluku
Beqiri Balluku

Tek po ecnim, papritur pamë që nga shtëpia e Mehmetit dolën Petrit Dumja dhe Hito Çakoja. Pak më vonë doli Mehmeti, i cili, sa na pa, u bashkua me ne, siç ndodhte shpesh. Ai na tregoi se kishte biseduar me ta për shëndoshjen e situatës në Ushtri dhe ata i kishin thënë: “Na mbreh, shoku Mehmet, jemi tërësisht të mobilizuar…”. Enveri nuk tha asgjë lidhur me këtë gjatë asaj shëtitjeje, por, kur u kthyem në shtëpi, tha si i menduar: “Po ky?!”.

Unë nuk e ngacmova më tej, sepse e pashë që nuk ishte i qetë dhe po reflektonte me veten e tij, në heshtje. Zakonisht, unë i respektoja këto heshtje reflektimi të tij. Por më pas, Enveri hapte bisedë me mua ose më lexonte diçka, ndonjë dokument a reflektim të tij për ndonjë çështje serioze. Natyrisht, unë e dëgjoja me shumë vëmendje, por edhe i shprehja lirisht ndonjë mendim timin. Por tani them që, ndonjëherë, siç qe dhe rasti lidhur me ngjarjet në Ushtri, ndoshta do të kishte qenë më mirë ta pyesja më thellë, si, për shembull: “Pse e bënte këtë?”, “A dyshonte apo nuk dyshonte për Mehmetin?”, “Pse pikërisht bëri atë ministër të Mbrojtjes, duke e lënë edhe Kryeministër, kur në kabinetin e tij u dënuan dy ministra?” etj.

ENVERI SHKRUAN MATERIALIN “ENIGMA E PETRIT DUMES”
Pas Plenumit të KQ të korrikut 1974, që diskutoi rreth veprimtarisë së Beqir Ballukut, Enveri nuk ndihej i qetë. Në vend që të pushonte, ai vazhdonte të punonte, lexonte dhe reflektonte. Në Tiranë, atë verë po bënte një vapë e padurueshme dhe, një ditë, vendosëm të shkonim në Durrës, të shihnim fëmijët.

Enverit nuk i pëlqente të pushonte atje. Një mëngjes, tek kishim dalë në breg të detit, në tendën e mbuluar me fier, Enveri nxori nga çanta disa fletë kartonçine, jo të mëdha, që i përdorte shpesh, dhe nisi të shkruajë. Vazhdoi këtu për disa orë, i përqendruar, pa folur dhe pa i hedhur fare sytë nga deti. Unë bëja sikur lexoja një libër, por, në fakt, ndiqja Enverin, pasi ndihesha shumë e shqetësuar për këtë impenjim të tij. Kur e ndjeu se e kishte tepruar, ai e ndërpreu punën.

I mblodhi tërë ato fletë të mbushura plot me shkrimin e tij dhe filloi të më tregonte se çfarë kishte shkruar. Materialin e kishte titulluar “Enigma e Petrit Dumes”. Tek e dëgjoja, kuptova që ishte një analizë me një logjikë të pakundërshtueshme, ku ngriheshin shumë pyetje. Njërën prej tyre e përsëriti disa herë: Pse Beqir Balluku kishte kërkuar dorëheqjen dhe propozonte për ministër të Mbrojtjes pikërisht Petrit Dumen, me të cilin grindej më shumë, ndërkohë që ky e denonconte Ballukun, duke i thënë “Kam kundërshtime parimore…”?!

Me këto dhe të tjera shqetësime, Enveri mori pjesë në mbledhjen e posaçme të Byrosë Politike, më 10 tetor 1974, që u bë për sqarimin e mëtejshëm të veprimtarisë armiqësore në Ushtri. Në të ishin thirrur edhe gjeneralët Petrit Dume, i Shtabit të Përgjithshëm, dhe Hito Çako, i drejtorisë Politike të Ushtrisë, të cilët, pas Plenumit të KQ, që u mblodh për çështjen e Beqir Ballukut, kishin menduar se kishin shpëtuar.

Aty ata u ndodhën para shumë “pse”-ve, që u drejtoi Enveri, si: “Pse nuk vutë në korrent udhëheqjen kryesore të Partisë, kur ju të dy, siç thoni, ishit në kundërshtim me antitezat e Beqirit?”. “Pse nuk patët kurajën të vinit tek unë, si Sekretar i Parë dhe Komandant i Përgjithshëm, të më shpjegonit çështjen dhe të kërkonit sqarime prej meje? Ju nuk guxuar të shkonit as te shoku Mehmet…”. (kështu mendonte atëherë Enveri, pasi Mehmeti bëri krejt të paditurin për të gjitha ato që po ndodhnin në Ushtri!”.

“Ti, Petrit, vetëm në fund na the se nuk je dakord me Beqir Ballukun në çështje parimore. Këtë gjë ti nuk e the më parë. Përse nuk ishe dakord me të? Megjithëse thua që ishe në kundërshtim të vazhdueshëm me Beqirin, u përpoqe që këto t’i fshehësh” etj. Në fund të asaj mbledhjeje të gjatë të Byrosë Politike, Enver Hoxha mori fjalën dhe në diskutimin e tij, midis të tjerash, theksoi: “Petrit Dumja dhe Hito Çakoja janë kontradiktorë në qëndrimet dhe pohimet e tyre, ata “bëjnë sikur nuk dinë gjë”, sepse Beqir Balluku ua kishte mbajtur të fshehur; edhe kur ua tha, gjoja “këta ishin kundër”.

Por të dy këta gënjejnë, edhe për atë që “nuk kanë ditur”, edhe për atë që “kanë qenë kundër”. Faktet dhe kuadrot ushtarake në aktivet e Ushtrisë, vazhdoi Enveri, flasin ndryshe. Petrit Dumja ka qenë prezent në Pogradec, kur Beqir Balluku u caktoi detyrat, për punën që do të kryenin, dy kalemxhinjve që kishte ngarkuar, madje, Petriti u këshillua t’u sigurojë atyre vendin e punës në Shtëpinë e pushimit të ushtarakëve, në Pogradec”. Ata, për të mos u demaskuar, vendosën t’i japin kësaj pune formën e një “studimi”.

Tashmë, është e njohur që Beqir Balluku ua dha materialin gjeneralëve dy-tri herë. Petrit Dumja dhe Hito Çakoja thoshin se kur morën dijeni për materialet, gjoja i thanë Beqir Ballukut: “Mos ua shpërnda kuadrove kryesorë!”. Por Beqir Balluku nuk i dëgjoi dhe i shpërndau ato. Pasi u shpërndanë materialet, Petriti dhe Hitoja gjoja e bindën Beqir Ballukun që jo vetëm t’i mblidhte ato, por edhe t’i kritikonte.

Por në Aktivin e Ushtrisë (që u bë në Durrës, pas Plenumit të KQ të Partisë, më 26 korrik 1974), ku të deleguar të Byrosë politike ishin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapoja, doli që Beqir Balluku nuk bëri as njërën dhe as tjetër. “Beqir Balluku, thotë Petrit Dumja, nuk e mbajti premtimin”. Në Aktiv, kuadrot e bazës sollën fakte që tregonin se Beqiri i qe futur një rruge krejt në kundërshtim me moralin socialist. Ai përdorte prapavijën e Ushtrisë sikur të ishte prona e tij, me një mentalitet kulaku, si të agallarëve të qëmotit. Po ashtu, u tha se mjaft shpenzime të caktuara të Ministrisë së Mbrojtjes, ai i kishte përqendruar te sekretari i tij, gjoja për kontroll më të mirë.

Ndërsa për Petrit Dumen, u shprehën, përveç të tjerash, se ai u thoshte, si me të qeshur, komandantëve të reparteve e kryetarëve të kooperativave: “Kur të vij unë, ta gjej shtruar…”, duke u ngjarë kështu aq shumë ballistëve, kundër të cilëve ai luftoi mirë dikur. Edhe kalin e ushqente me sheqer të ushtrisë. Nën petkun e një njeriu popullor, “rrogoz”, ai fshihte mendjemadhësinë bonopartiste të komandimit. Për fudullëkun dhe arrogancën e Petrit Dumes flet edhe një episod që ka ndodhur në një darkë të ngushtë që Mehmet Shehu kishte organizuar në shtëpinë e vet, në një përvjetor të ditëlindjes së tij.

Përveç Enverit dhe meje, Hysniut e Vitos, ai kishte ftuar pa gratë e tyre, Adil Çarçanin, Ramiz Alinë, Shefqet Peçin, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun, Petrit Dumen dhe Fadil Paçramin. Qe një darkë e ngrohtë shoqërore. Më aktiv në gjallërimin e darkës qe Petrit Dumja, i cili iu qep shokut që kishte në krah, Shefqet Peçit, se kush do të mbante më shumë dollitë e nxitura nga të gjithë spektatorët e tryezës, që bënin sikur pinin. Por erdhi një çast që avulli i rakisë bëri punën e vet, fjalët e të hedhurat me shaka u trashën dhe Petrit Dumja, i ngritur në këmbë, ia plasi: “E di që u-uunë të arree..stoj?!”.

(Populli ynë ka një fjalë të urtë për ata që pinë e dehen: Ç’ka barku, e nxjerr bardhaku). Përmendja e arrestimit prej Petrit Dumes tregonte arrogancën e tij prej ushtaraku. Shefqeti, kur dëgjoi ato fjalë, brofi në këmbë dhe i skuqur në fytyrë, ia priti: “Kush je ti, mo golash, që të më arrestosh mua?!”.

Në këtë çast, u ngrit në këmbë i zoti i shtëpisë dhe, duke qeshur, tha: “Ta ngremë këtë gotë të fundit për shokun Enver dhe pastaj të kalojmë në sallon për të pirë kafenë”./PANORAMA.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb