Vijon prej dy ditësh operacioni i kërkim-shpëtimit në banesën katër katëshe të familjes Lala, e cila është më e goditura nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi nga banesa e kthyer në gërmadhë e familjes Lala se ka dështuar operacioni për gjetjen e trupave nga pjesë e përparme dhe tashmë ekipet e kërkim-shpëtimit janë spostuar në pjesën e pasme të saj.

Sipas gazetares Lala, e cila po ndjek prej mëngjesit operacionin në këtë banesë, specialistët italianë mendojnë se do duhet të hiqet pjesa më e madhe e inerteve, sepse bëhet fjalë për katër soleta, dhe më pas për të ndërhyrë në atë vend ku qentë nuhatës i kanë orientuar grupet e shpëtimit.

Brenda rrënojave ndodhen ende trupat e pesë pjesëtarëve, binjakëve Dionis dhe Dionisa Lala, që ende nuk kanë mbushur dy vjeç, vëllait të tyre, Emilio Lala, mamasë së tyre, Marjeta, dhe xhaxhait të paralizuar, Ilir Lala. Ndërkohë, nga rrënojat janë nxjerrë dy trupa të pajetë dhe i vetmi i gjallë, Ramë Lala. Gazetarja Lala tregoi se ç’ndodhi brenda vilës së kësaj familjeje në momentin kur ra tërmet dhe si shpëtoi Ramë Lala.

“Ramë Lala që në momentet e para që është nxjerrë ka qenë i ndërgjegjshëm, ka komunikuar gjatë gjithë kohës me pjesëtarët e ekipit mjekësor. Ai pretendon se ka dëgjuar zërin e motrës, Griseldës, deri pak minuta para se të nxirrej nga banesa, por që për fat të keq ajo u nxor e vdekur nga rrënojat. Nga nëntë pjesëtarët e familjes Lala, Ramë Lala është i vetmi që është nxjerrë i gjallë. Në momentin e shpëtimit e vetmja kërkesë e tij ishte që t’i dërgohej sa më shumë ujë dhe këtë e kanë bërë ekipet e kërkim-shpëtimit.

Në momentin që ka rënë tërmeti i parë, në 2 të mëngjesit, të gjithë pjesëtarët e familjes kanë zbritur nga kati i katërt dhe i tretë i vilës dhe janë grumbulluar në katin e dytë. Në momentin që ka rënë tërmeti i fortë ata kanë tentuar të largohen në drejtim të shkallëve, që kanë qenë në brendësi të banesës, pra nuk ka pasur shkallë jashtë. Ramë Lala është spostuar nga lavatriçja dhe ka ngecur në cepin e banesës, aty ku qëndroi për gati 10 orë dhe u arrit të shpëtohej pastaj”, tha gazetarja Klodiana Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb