Një ngjarje e rënë është shënuar mbrëmjen e djeshme ndaj deputetit të LDK-së në Kosovë, Shkëmb Manajt. Deputeti ka treguar se dikush ka hyrë në garazhin e ndërtesës ku banon dhe ia kanë shpuar me thikë gomat e makinës.

Manaj bën të ditur se në momentin kur ka vënë re këtë sulm që iu është bërë ka njoftuar menjëherë policinë. Ndër të tjera ky sulm sipas deputetit është i ulët dhe kërkojnë që të ndalet në punën e tij, mirëpo Manaj thekson se nuk ka asnjë forcë që do e ndalojë.

Ai ka publikuar dhe tre foto të makinës, aty ku shihet qartë se janë shpuar me thikë.

Postimi i plotë në Facebook:

Të nderuar miq, Të dashur qytetarë të Republikës, Sot rreth ores 11:00 kam vërejtur se katër gomat e vetures time, brenda garazhes në banesën ku banoj, janë shpërthyer, si rrjedhojë e shpuarjes me thikë. Rasti është lajmruar në polici, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe e ka kryer punën e saj me profesionalizëm. Me këtë rast e falënderoj Policinë e Kosovës dhe kërkoj që rasti të trajtohet dhe të zbardhet në tërësi.

Unë, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem personal me askënd. Prandaj, nëse ky veprim i ultë është tentim që unë të ndalem nga puna ime e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend të Republikës dhe nga angazhimi i çdo ditshëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, e kanë gabim, sepse nuk ka forcë që me ndal nga ky përkushtim.

Duke marr paraysh që rasti është tani në procedurë hetimore, kërkoj mirëkuptimin e mediave që përtej këtij njoftimi, nuk mund të jap deklaratë tjetër, lidhur me këtë rast. Me respekt, Shkëmb MANAJ

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb