Dinamo City do të luajë të enjten, më 27 gusht, në orën 19:00, ndeshjen e kthimit të play-off-it të UEFA Conference League ndaj Pafos, në “Limassol Stadium”, në një përballje që do të përcaktojë skuadrën që do të vijojë më tej në fazën e ligës së kompeticionit.

Barazimi 1-1 në “Elbasan Arena” ka lënë gjithçka të hapur për kualifikimin. Blutë kaluan të parët në avantazh në minutën e 79-të me Fadairon, por vetëm tre minuta më vonë Pafos barazoi nga pika e bardhë me Lele, duke vendosur rezultatin përfundimtar.

Tashmë, skuadra shqiptare do të kërkojë të shfrytëzojë ndeshjen e kthimit për të siguruar kualifikimin dhe për të vijuar aventurën europiane. Për Dinamo City bëhet fjalë për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij sezoni, me 90 minutat në Qipro që do të përcaktojnë fatin e këtij rrugëtimi.

Përballë Pafos, blutë do të kërkojnë të tregojnë edhe një herë karakterin e tyre në arenën europiane dhe të realizojnë objektivin e kualifikimit në fazën e ligës së UEFA Conference League.

Një përballje vendimtare, ku çdo moment mund të bëjë diferencën dhe ku Dinamo City do të synojë të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme në aventurën europiane të klubit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb