Prej rreth 10 vitesh banorët e lagjes 6 në Kavajë vijojnë të përballen me derdhjen e ujërave të zeza në oborret e banesave të tyre, një problem që sipas tyre ka krijuar rrezik serioz për shëndetin dhe jetesën.
Banori Shpëtim Nova, i cili ka ngritur shqetësimin pranë redaksisë së “TakFak”, thotë se shkak i situatës është bllokimi i një pusetë kryesore të rrjetit të kanalizimeve.
Sipas tij, pusetën e ka dëmtuar një fqinj që jeton jashtë vendit, ndërsa familjarët e tij kanë mohuar përgjegjësinë, duke ia lënë fajin kolektorëve të tjerë të zonës.
Banorët shprehen se gjatë përpjekjeve për zgjidhje janë përballur me mungesë të qartë përgjegjësie nga institucionet dhe konflikt mes palëve, ndërsa situata në terren vazhdon të përkeqësohet.
Ata kanë zhvilluar takim edhe në Bashkinë e Kavajës, ku janë pritur nga sekretari Arjan Malaj.
Sipas tyre, është kërkuar që për ndërhyrje në pronën private të merret më parë një vendim gjykate, për të lejuar hapjen dhe zhbllokimin e pusetës.
Ndërkohë, banorët thonë se kryetari i bashkisë nuk ka qenë i pranishëm në institucion gjatë vizitës së tyre, ndërsa komunikimi me të është bërë vetëm në telefon. Sipas tyre, ai e ka cilësuar problemin “të vogël dhe të zgjidhshëm”, duke premtuar ndërhyrje për një situatë që vijon prej një dekade.
Banorët kërkojnë zgjidhje urgjente, duke theksuar se janë të ekspozuar ndaj ndotjes, aromave të rënda dhe rrezikut për sëmundje.
