Në një konferencë të përbashkët pas vizitës në mes të Kievit, ku panë nga afër rrënojat e luftës, kryeministri shqiptar e malazez, Edi Rama e Dritan Abazoviç, folën për integrimin e shpejtë të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se Ukrainës duhet t’i jepet statusi kandidat sa më shpejt. Po kështu u shpreh dhe kryeministri Abazoviç, i cili iu drejtua BE-së me një mesazh të fortë, teksa paralajmëroi se nëse Ukraina nuk futet në Evropë, kjo që po ndodh tani atje, do t’i ndodhë nesër ndonjë vendi tjetër, e pasnesër mund të ndodhë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Rama: Jemi në një linjë të mirëpërkufizuar të asaj çka jemi e çka përfaqësojmë. Besoj se është gjëja e duhur për t’u bërë. Ukraina kërkon dhe duhet t’i jepet statusi kandidat. Populli ukrainas duhet ta dijë tani që në sytë e BE e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, kjo është e vetmja gjë që nënkupton statusin kandidat.

Abazoviç: Mali i Zi është në pararojë të procesit të integrimit të BE, jemi në fazat përfundimtare. Mesazhi kryesor është se pas 24 shkurtit gjërat nuk janë njësoj. Nëse BE nuk e kupton këtë gjë, atëherë ky është problem. Në bazë të meritës, na duhet të bëjmë integrimit. Kështu që nëse një vend meriton të jetë në BE, le të jetë në BE. Por, në emër të solidaritetit, sigurisë së Evropës, ata duhet ta marrin këtë vendim më shpejt. Nëse kjo ndodh vit pas viti, mendoj se të gjithë ne do të përballemi në një moment me një problem të madh. Gjithkush që kërkon të bashkohet me familjen, duhet ta bëjë këtë në bazë të reformave. Interesat e ndonjë vendi janë ndonjëherë shumë më të mëdha se interesat e të gjithë vendeve anëtare. Është momenti përfundimtar për të kuptuar se nuk duhet të largohemi e të lëmë gropa të zeza në Evropë, sepse kjo do të përbëjë problem. Sot është Ukraina, nesër mund të jetë një shtet tjetër, pasnesër mund të jetë në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme për BE, që të mbetet tërheqëse si organizatë. Kjo është e gjithë historia. Nëse dikush nuk e kupton këtë, mos u çudisni që diçka e ngjashme me Ukrainën të ndodhë diku tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb