Fermerët e serave dhe blegtorët e qarqeve të Beratit e Fierit kanë dalë sot në protestë në Urë të Kuçit, pikërisht në pikën ku ndahet kufiri mes dy qarqeve. Të gjithë të bashkuar, ata kanë protestuar sot për 3-fishimin e çmimeve të plehrave kimikë dhe inputeve bujqësore, për subvencionet diskriminuese dhe për rritjen e çmimit të naftës.

Disa ditë më parë, Sindikata e fermerëve të bashkuar i ka dërguar një shkresë zyrtare qeverisë, ku kërkonin subvencione, ulje të çmimit të naftës dhe rritje të imputeve bujqësore, por ende edhe sot nuk kanë marrë një përgjigje.

Në kushtet e rritjes së inputeve bujqësore, naftës dhe vështirësive të tjera me të cilat përballen çdo ditë, fermerët dhe blegtorët i kërkojnë qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për uljen e çmimit të naftës, plehrave kimikë dhe inputeve bujqësore, që të subvencionojë direkt fermerin në bazë të produktit të hedhur në treg, të justifikuar me faturë tatimore por jo më pak se 10 lekë për çdo njësi bazë të shitur e ngjashme me skemën e aplikuar të vitit 2019 për prodhuesit e qumështit; barazimin e shkallës së TVSH-së në shitje me atë në blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale, vlerësimin dhe kompensimin financiar me çmim dyshemeje të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çrregullimet e forta të tregut.

  • foto galeri
  • foto galeri

Fermerët dhe blegtorët kërkojnë që qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore, për te garantuar interesat e palëve në këtë treg. Ata kanë kërkuar gjithashtu nga Ministria e Bujqësisë që të krijojë menjëherë zyrën apo agjencinë e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve.

Kryetari i Sindikatës së fermerëve të bashkuar, Ervin Resuli ka deklaruar se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, duke u rrënuar ekonomikisht e duke falimentuar. Ai ka deklaruar se protesta e radhës e fermerëve dhe blegtorëve do të jetë pas një jave tek “Pushimi i Shoferit” dhe më pas, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen nga qeveria, protestat do të përshkallëzohen përpara Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.

Në shenjë proteste dhe revolte ndaj qeverisë, protestuesit kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje, duke u ulur të gjithë në asfaltin e rrugës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb