Dy ditë pas shpalljes nga FIFA si më i miri i vitit 2021, prestigjiozja gjermane “Bild” trondit me lajmin për Robert Lewandowskin. Sipas “Bild”, sulmuesi polak mund të largohet nga Bayern Munchen këtë verë.

Kontrata e bomberit polak me bavarezët skadon në vitin 2023 dhe, duke iu referuar gjithnjë gazetës gjermane, klubi i Mynihut i ka dhënë dy opsione: ose të rinovojë me pagë më të ulët, ose të transferohet në verë. Lewandowski është 33 vjeç dhe në politikën e Bayern ka vetëm një vit vazhdim të kontratës për lojtarët me moshën mbi të 30-at.

Kartoni i tij do të vlerësohej 50 milionë euro. Gjithashtu, mund të ketë një akord 2-vjeçar me sulmuesin, por jo me këtë pagë që merr aktualisht. Menaxhmenti bavarez dëshiron që situata e tij të qartësohet sa më shpejt të jetë e mundur, për të punuar mbi një zëvendësues.

Por Lewandowski duket shumë i qetë dhe mendon vetëm për fushën e lojës për momentin dhe kjo u duk edhe në ndeshjen e fundit, ku ai shënoi 3 gola. Plot 23 gola në Bundesligë deri më tani, shifra që flasin në favor të tij në çdo aspekt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb