Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka ofruar një ndihmë për shpëtimin e jetës së 100 mijë fëmijëve dhe familjeve të tyre në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos.

Në një deklaratë, UNICEF tha se përleshjet e armatosura janë intensifikuar në territoret Djugu, Mahagi dhe Irumu në provincën Ituri.

“Mbi 1.6 milionë njerëz, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, aktualisht janë shpërngulur në provincën Ituri të Republikës Demokratike të Kongos dhe kanë kërkuar strehim në komunitetet pritëse dhe vendet e zhvendosjes tashmë të mbipopulluara brenda dhe rreth qytetit Bunia të provincës Ituri”, njoftoi UNICEF.

Sipas UNICEF-it, situata e fëmijëve është shqetësuese, pasi që nga maji deri në qershor të këtij viti janë regjistruar 151 pretendime për shkelje serioze të të drejtave të fëmijëve, të tilla si përdhunime, vrasje dhe keqbërje, si dhe sulme në shkolla dhe qendra shëndetësore.

UNICEF tha se shumë fëmijë mund të mos kenë vend për të studiuar kur shkollat të rihapen në muajin tjetër, pasi 165 shkolla janë shkatërruar që nga janari i këtij viti.

“Përderisa përpjekjet e demobilizimit dhe pajtimit nga qeveria kanë ringjallur shpresat për paqe në Ituri, mijëra familje të zhvendosura brenda vendit dhe fëmijëve u mungon qasja në shërbimet themelore, në arsim dhe kujdes shëndetësor”, theksoi UNICEF.

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, nga dhjetori i vitit 2017 dhuna në verilindje të provincës Ituri ka lënë pothuajse 1 mijë njerëz të vdekur dhe gjysmë milionë të zhvendosur.

Në janar, ushtria e vendit nisi një operacion kundër militantëve në provincën e pasur me ar, si pjesë e një sulmi më të gjerë të nisur tetorin e kaluar.

Shumica e grupeve të milicisë kanë lënë mënjanë kërkesat e tyre politike dhe janë të përfshirë në trafik mineralesh.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb