Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë përurimit të Abetares së përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, se është një moment i veçantë, ndërsa shtoi se është më rëndësi që  të ruajmë gjuhën shqipe nga kërcënimet për ta zhdukur atë.

Rama shprehur kënaqësi edhe për dëshirën nga Maqedonia e Veriut për t’u përfshirë në këtë proces.

“Është moment i veçantë sepse kjo Abetare e parë e unifikuar, një punë e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës ishte një sfidë me kohën, pasi hapi vendimtar për t’u nisur në rrugëtimin e realizimit të saj u hodh jo shumë kohë më parë, në një mbledhje të dy qeverive, dhe puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura për këtë qëllim, ishte voluminoze. Ja ku jemi sot, me një Abetare të unifikuar e cila është libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në dyert e shkollës për herë të parë dhe një lajm shumë i mirë është se dhe miqtë, kolegët tanë në RMV e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse fillimisht ishte produkt i mbledhjes së dy qeverive.

Sot përveç se në Shqipëri, gjuha shqipe ruhet dhe flitet në të gjitha vendet edhe përtej këtij perimetri ku jetojnë shqiptarët dhe ku lindin dhe rriten fëmijë në familje shqiptare, deri në skajin më të largët të globit, Australi.

Për ne është barrë e posatshme që këtë gjuhë ta mbrojmë nga kërcënimet që janë përherë e më të pranishme si rezultat i rrjeteve sociale, i një përhumbje të përgjithshme të interesit për librin në tërësi, apo goditjeve të një pas njëshme që gjuha merr, ku pak i kushtohet vëmendjen korrektimit dhe redaktimit në gjuhën tonë.

Sot është e domosdoshme të gjejmë rrugët për t’ua treguar sa më mirë atyre që vijnë pas nesh dhe për ta rrënjosur me durim, sesa e vështirë ka qenë rruga e përpjekjeve për të mos u zhdukur gjuha shqipe”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb