Nga: ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë në universitetin e Sporteve Tiranë, veç provimeve të maturës, duhet që të zhvillojnë edhe konkursin e pranimit që do bëhet në ambientet e këtij universiteti në fund të muajit gusht. Pesha e provimeve të maturës edhe këtë vit do të ketë peshë të njëjtë me konkursin e pranimit, 50%. Në vendimet e dekanateve të këtij universiteti është përcaktuar se kjo ndarje është bërë që kandidatët që do të fitojnë të drejtën e studimit, të kenë edhe njohuri të përgjithshme të mira. Këtë vit do ketë vetëm një komision vlerësimi dhe të dyja testet praktike që do t’u nënshtrohen kandidatët që dëshirojnë të studiojnë në dy fakultetet e UST, do zhvillohen brenda një dite. Ndër të tjera, Universiteti i Sporteve Tiranë ka publikuar edhe kartelën mjekësore, ku përfshihen analizat që duhet të bëjnë kandidatët para se të hynë në konkursin e pranimit. Sipas drejtuesve të UST, kryerja e këtyre analizave është detyrim për të gjithë ata kandidatë, të cilët dëshirojnë të garojnë për të hyrë në këtë universitet.
Kartela mjekësore
Publikohet kartela mjekësore individuale që duhet të plotësojnë kandidatët për të hyrë në konkursin e pranimit në Universitetin e Sporteve Tiranë (UST). Maturantët që dëshirojnë të studiojnë në këtë universitet, veç provimeve të maturës shtetërore, në fund të muajit gusht pritet t’i nënshtrohen edhe konkursit të pranimit. Por para garës, të gjithë kandidatët duhet të bëjnë një sërë analizash mjekësore. Kandidatët duhet të bëjnë vizitë te kardiologu, E.K.G me shpjegim bashkangjitur, analizë gjaku komplet, urinë komplet, vizitë të përgjithshme te kirurgu dhe të sqarohet nëse është bërë operim më parë dhe pse, vizitë tek O.R.L, vizitë tek okulisti dhe radiologu. Kryerja e këtyre analizave është një detyrim që duhet t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që do të konkurrojnë për të hyrë në këtë universitet. Pjesë e dokumenteve që duhet të dorëzojnë kandidatët për të bërë regjistrimin për të hyrë në konkursin e pranimit është edhe dorëzimi i kartelës mjekësore. Për të bërë regjistrimin për t’u bërë pjesë e konkursit të pranimit, maturantët veç dokumentit të identifikimit, dy fotografive, mandatpagesën për tarifën e hyrjes në konkurs, e cila ende nuk është miratuar, pasi do miratohet nga qeveria bashkërisht me kuotat e pranimit për vitin akademik 2025-2016, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe kartelën mjekësore që vërteton gjendjen shëndetësore të konkurruesit në përballimin e sforcimeve fizike, dokument që do të plotësohet nga mjekët e ambulancave në çdo rreth.
KONKURSI&KRITERET
Në konkurrimin praktik, konkurruesi ka në dispozicion 70 pikë, që përbëjnë 50% të pikëve totale si dhe 50% në vlerësimin e notës mesatare dhe treguesve të tjerë të shkollës së mesme që kërkohen nga MAS. Në këtë konkurs praktik është parë e arsyeshme që të eliminohet numri i shumtë i komisioneve të vlerësimit në disa teste të specialiteteve të ndryshme dhe është vendosur që konkurruesit të testohen nga një komision i vetëm, brenda një apo më shumë ditësh në përputhje me numrin e kandidatëve konkurrues. Ky konkurrim konsiston në një vlerësim të përgjithshëm të cilësive fizike, pa detajuar të veçantat që ka sporti. Në vendimin e miratuar nga Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes në Universitetin e Sporteve, kandidatët që dëshirojnë të hynë në programet e studimit në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes do t’u nënshtrohen dy testeve praktike. Testi i parë është i barasvlefshëm me 60 pikë në total, ky test është më i rëndësishmi për shkak edhe të pikëve që grumbullojnë kandidatët. Për meshkujt, testi i parë është me 7 stacione, ndërsa për fermat është me 6 stacione. Detajimet se si do të realizohet testimi i keni në figurat bashkangjitur shkrimit. Ndërsa testi i dytë, kërcimi së gjati nga vendi është i njëjtë si për femrat dhe meshkujt, ky test praktik është i barasvlefshëm me 10 pikë maksimale. Kandidati mashkull merr pikët maksimale kur arrin në 280 cm, ndërsa për femrat gjatësia është 240 cm. Edhe në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit kandidatët do të jenë të detyruar të konkurrojnë në dy teste: kërcim së gjati nga vendi dhe testit kompleks koordinativ. “Shumatorja e pikëve të mbledhura në të dy testet do të japë nivelin e pikëve të fituara nga konkursi për testin praktik. Këto pikë të mbledhura me pikët e fituara nga matura shtetërore do të përbëjnë rezultatin total të konkursit me të cilin konkurruesi do të përfaqësohet në rreshtimin e tërë konkurruesve vajza e djem fitues. Konkurruesit do të fitojnë 50% të pikëve nga pikëve nga pikët e fituara në maturën shtetërore dhe 50% të pikëve nga rezultati në dy testet praktike të zhvilluara në konkurs. Duke nisur nga struktura e testeve që kanë si bazë zhvillimin e përgjithshëm motorik, është e kuptueshme që seleksionimi i kandidatëve për këtë fakultet nuk përbëhet duke u nisur nga një disiplinë sportive e veçantë. Kjo do të thotë që ky fakultet përgatit specialistë dhe trajnerë të disiplinave të sportit për të gjithë dhe jo të atij kompetitiv. Në këtë këndvështrim është gjykuar që testi praktik të ketë vetëm 50% të vlerësimit të përgjithshëm, kurse formimi intelektual (matura shtetërore) të ketë 50% të tij” përcaktohet në vendimin e marrë në datë 13.07.2015, në lidhje me testet praktike të pranimit. Sipas vendimit të rektoratit të universitetit, në rast se cirkuiti nuk përfundon, konkurrenti vlerësohet me zero pikë. Po ashtu, cirkuiti kryhet një herë dhe pa të drejtë përsëritjeje. Në kërcimin së gjati merret për bazë rezultati më i mirë i dy provave. Testimi koordinativ dhe fizik kryhet brenda një dite dhe brenda një salle.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb