Cikloni post-tropikal Ian ka goditur tashmë Karolinën e Jugut në SHBA pas një shkatërrimi vdekjeprurës në Florida. Gati 200,000 shtëpi dhe biznese në Karolinën e Jugut mbetën pa energji elektrike të premten në mbrëmje.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se epiqendra e Ianit mbërriti në breg të premten pasdite pranë qytetit Georgetown, me një shpejtësi maksimale erërash prej 140 kilometrash në orë. Përmbytjet parashikohet të vazhdojnë në të gjithë rajonin, përfshirë Florida, për ditë të tëra.

Zyrtarët e Karolinës së Jugut, Xhorxhias dhe Karolinës së Veriut u kanë bërë thirrje banorëve të përgatiten për kushte të rrezikshme. Të premten, makinat nuk u lejuan të qarkullonin në Qarkun Charleston, të Karolinës së Jugut dhe Aeroporti Ndërkombëtar në Charleston u mbyll për shkak të erërave të fuqishme.

Qarku ka rreth 400 mijë banorë dhe ka hapur pesë vendstrehime. Në Florida, grupet e shpëtimit po vijojnë me përpjekjet për të shpëtuar banorët e bllokuar nga përmbytjet. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se të enjten ishin shpëtuar të paktën 700 vetë, ndërsa kanë njoftuar se 21 persona kanë humbur jetën.

Uragani Ian goditi bregun e Gjirit të Floridës të mërkurën, si një stuhi e fuqishme e kategorisë 4, një nga stuhitë më të forta që ka goditur ndonjëherë SHBA-në me një shpejtësi mesatare të erës prej 241 kilometrash në orë. Ai përmbyti shtëpi në të dy brigjet e shtetit dhe la pa energji elektrike 2.6 milionë shtëpi e biznese, që përbëjnë një të katërtën e klientëve në këtë shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb