TIRANË

Gjykata e Lartë greke refuzoi ekstradimin e Bledar Jambellit drejt Shqipërisë, duke iu dhënë një goditje të fortë institucioneve ligjzbatuese të vendit tonë. Fieraku nën akuzë për urdhërimin e vrasjes së kryekomisar Artan Cukut, u arrestua fund-dhjetorin e vitit të kaluar në Athinë dhe pritej ekstradimi i tij në Shqipëri për tu përballur me gjykatën për Krime të Rënda. Por, ndërsa dy shkallët e para të gjyqësorit në shtetin helen i ndezën dritën jeshile dorëzimit të Jambellit, papritmas gjykata e Lartë doli kundër ekstradimit.

Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për “News24” dhe “BalkanWeb” se janë informuar për refuzimin e kërkesës së tyre për ekstradimin e Jambellit, por janë të paqartë për argumentat e përdorura nga gjykata, përderisa vendimi nuk iu është vënë në dispozicon.

Procesi ndaj eksponentit të njohur të krimit, në gjykatën për Krime të Rënda u pezullua për një periudhë 1 vjeçare, sikurse parashikon ligji kur të pandehurit janë në mungesë. Por, pas këtij zhvillimi të ri, prokuroria për Krime të Rënda tha se do të shqyrtojë argumentat dhe do të mbajë qëndrim në seancë gjyqësore. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe zyra e kryeprokurores së përkohshme. I pandehuri nga Fieri, akuzohet se urdhëroi vrasjen e ish-drejtorit të policisë së Vlorës Artan Cuku në shenjë hakmarrje, pasi ai e kishte arrestuar si të dyshuar për një vrasje.

Nga hetimet rezultoi se Jambelli kishte premtuar shumën prej 20 mijë eurosh Mikel Shallarit për të ekzekutuar babanë e dy fëmijëve. Pas arrestimit, ekzekutori Shallari pranoi krimin dhe vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë duke marrë statusin e të penduarit. Mikel Shallari u dënua vetëm 10 vite burgim, sipas marrëveshjes që arriti me pokurorinë. Brenda pak vitesh, ai rifiton lirinë dhe fakti që edhe i dyshuari si urdhërues i krimit është tashmë i lirë, bën që familja e dëshmorit të Atdheut të marrë një tjetër goditje të fortë.

Përse Greqia refuzoi ta dorëzojë Jambellin është një cështje për të cilën ministria e Drejtësisë duhet të japë shpjegime. Më herët, drejtësia holandeze rrëzoi autoritetet tona, duke refuzuar ekstradimin e Arben Frrokut i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

PSE E ARRESTOI KOMISAR CUKU VRASËSIN
Mikel Shallari ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë. Ai iu dha prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë.
Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi.

Ndërkohë, pavarësisht rihapjes së hetimeve për vrasjen tek Pusi i Mezinit, Bledar Jambelli u lirua nga burgu, pasi në atë kohë u tha se nuk u gjetën prova. 4 vite pas arrestimit ai gjeti njeriun që pranoi të ekzekutojë Artan Cukun.

Arrestimi që i kushtoi jetën komisarit kishte të bënte me një zinxhir vrasjesh që nisnin që nga përplasjet mes bandave të Vlorës në vitin 1997 dhe vazhdonin përmes hakmarrjes dhe trafikut të drogës dhe prostitutave në Spanjë.

Bledar Jambelli u dyshua për vrasjen me pagesë të Amarildo Delajt në shtator të vitit 2012 dhe të fortit të Vlorës, Shpëtim Muka, në vitin 2006 te Pusi i Mezinit.
Dy ngjarjet lidhen mes tyre, pasi viktimat kishin krijuar konflikte në Spanjë me Sokol Ramën. Dy atentatet mendohej se u realizuan nga i njëjti person, Bledar Jambelli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb