Tenisti serb Novak Djokovic, ish-numri 1 në botë dhe fitues i 21 grand slam, nuk do të luajë në turneun e US Open, që nis më 29 gusht në New York. Shkak është mosvaksinimi i tenistit serb, që nuk mund të udhëtojë drejt Amerikës, për shkak të ligjeve në fuqi.

Lajmin e konfirmuan organizatorët e US Open, që sot do të hedhin shortin e turneut dhe Djokovic nuk do të jetë pjesë e tij. Gjithashtu edhe vetë tenisti ka deklaruar në rrjetet sociale pak më parë se nuk mund të niset për në Amerikë, pasi është i pavaksinuar.

Për serbin ky është grand slam i dytë këtë vit që nuk luan për shkak se nuk pranon të kryejë vaksinën, pas atij të Australian Open (në janar). Edhe pse shkoi në Melbourne, ai humbi betejën ligjore me qeverinë dhe u detyrua të rikthehet në vendlindje.

“Për fat të keq, nuk mund të udhëtoj në New York për të luajtur në US Open. Falënderoj të gjithë fansat për mbështetjen. Ju uroj fat miqve të mi tenistë. Jam në formë dhe pozitiv shpirtërisht, duke pritur për një mundësi që të luaj sërish. Do të shihemi së shpejti”, shkruan Djokovic.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb